Hidromorava - Gjilan

Rashiti: Kosova dhe Ballkani nuk janë më prioritet për SHBA-në dhe BE-në

/ 7 minuta lexim

Kosova dhe Ballkani Perëndimor nuk janë më ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa ndryshimet në administratën amerikane kanë sjellë një qasje më të përqendruar në marrëdhëniet bilaterale, vlerëson Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i Grupit për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit (BPRG), raporton Ekonomia Online.

Sipas Rashitit, zhvillimet e reja globale, konfliktet ndërkombëtare dhe ndryshimet në politikën e jashtme amerikane kanë zhvendosur vëmendjen nga Ballkani, duke e bërë më të vështirë parashikimin e politikave të ardhshme të Uashingtonit ndaj rajonit.

“Shiko, shumëçka ka ndryshuar në botë, nga konfliktet e reja, jo vetëm në Ukrainë, pas dhe pas Ukrainës, po Lindja e Mesme, lufta me Iranin, kjo ka ndryshuar gjithë prioritetet globale. Përfshi ndikimin në energjetik, në furnizimin me derivate, e kështu me radhë. Një, ky është ndryshimi i madh. Ndryshimi më i madh i dytë ka të bëjë me ndryshimin e administratës. Administrata e re amerikane ka sjellë shumë ndryshime të mëdha, qasje tërësisht të ndryshme, radikale, kundrejt asaj politike multilaterale, e cila ka funksionuar relativisht mirë në raport me BE-në, sidomos dhe NATO-n”, tha ai për Ekonomia Online.

Hidromorava

Rashiti tha se administrata e re amerikane po ndjek një politikë që, sipas tij, nuk është e përcaktuar qartë dhe mbështetet më shumë në marrëdhënie dypalëshe sesa në bashkëpunimin përmes mekanizmave ndërkombëtarë.

“Dhe tash ne kemi një politikë e cila nuk është mirë e definuar, është një bërje, nuk është e përcaktuar, është ad hoc dhe vazhdon të jetë e tillë, qoftë në bashkëpunim me NATO-n, qoftë me, po një politikë e cila nuk e aplikon multilateralizmin, nuk e aplikon bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare, por kryesisht një marrëdhënie bilaterale. Dhe ndryshimet e mëdha të kësaj administrate, para së gjithash në vende të ndryshme, është më shumë e definuar në marrëdhënie bilaterale, me Kosovën, me Shqipërinë, me Serbinë, me Greqinë, me Turqinë, sesa marrëdhënie përmes mekanizmave multilaterale. A sa e suksesshme kjo ka qenë, ose sa e përcaktuar, ose sa ka qenë e stabile kjo politikë ose ekosistente, nuk e dimë, është vështirë të parashikohet. Defekti më i madh nga pikëpamja jonë është që ne nuk po shohim as arritje të të caktuara në administratën amerikane, as definim të politikave, apo kështu me radhë”, tha ai.

Ai vlerësoi se, pavarësisht disa rezolutave dhe ligjeve të miratuara nga Kongresi dhe Senati amerikan që ndikojnë në përcaktimin e politikës ndaj Kosovës dhe Ballkanit, rajoni nuk është më në qendër të agjendave ndërkombëtare të sigurisë, integrimit dhe zhvillimit.

“Megjithatë, në rastin më të keq, kemi një qasje pozitive, ku Kongresi dhe Senati kanë kaluar disa rezoluta dhe disa ligje, që në një farë forme e formësojnë politikën amerikane në raport me Kosovën dhe Ballkanin, por thjesht as për SHBA-në, as për BE-në, Kosova dhe Ballkani nuk janë prioritet të politikave, të agjendave ndërkombëtare, në aspektin e agjendës së sigurisë, në aspektin e agjendës së integrimit apo në agjendën e zhvillimit. Ku Ballkani ka kaluar këtë kohë gjatë kohë, ka qenë në vëmendje prej shumë vitesh, nuk është më”, tha ai.

Në këtë situatë, Rashiti konsideron se Kosova dhe vendet e rajonit duhet të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të tyre, përmes bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të politikave që ulin varësinë nga aktorët ndërkombëtarë.

“Dhe ky duhet të jetë mësimi për politikën kosovare, meqë po flasim për Kosovën, por për Ballkanin, që duhet të ketë një zgjim dhe mobilizim për të bërë politikën. Kjo ndodh edhe me BE-në, nëse kujtohet fjalimi i nënpresidentit Vance në Mynhen, ku i tha ‘Bëj Evropës mjaft më, keni qenë të mbrojtur, keni jetuar nën mbrojtjen amerikane për 80 vite, zgjohuni ndërtoni nën mbrojtjen e juaj’. Edhe kështu, kjo vlen edhe për Ballkanin. Mjaft më, zgjohuni, vendosni bashkëpunimin, zgjidhni problemet, bëni zhvillimin, konsolidoni me sa më pak varësi nga aktorët kryesorë ndërkombëtarë”, tha ai.

Duke folur për zhvillimet ndër vite në politikën amerikane ndaj rajonit, Rashiti tha se largimi gradual i vëmendjes nga Ballkani ka nisur më herët, ndërsa përplasjet mes SHBA-së dhe BE-së kanë krijuar paqartësi për Kosovën, veçanërisht në proceset e dialogut, integrimit dhe investimeve.

“Po kjo ka ndodhur gradualisht prej kohës së Obamas, që ka qenë një farë shkëputje prej Ballkanit Perëndimor. Edhe disa dëme për Kosovën janë bërë në kohën e presidentit Obama. Pastaj mandati i parë i presidentit Trump, jo direkt duke afektuar Kosovën, por acarimi i marrëdhënieve me BE-ja ka ndikuar shumë në agjendën e Kosovës. Konflikti, nëse kujtohet, me SHBA-BE në raport me procesin e dialogut, me integrimin, me investimet me Ballkanin e Hapur, ka sjellë shumë dëme për Kosovën, ka sjellë shumë paqartësi, ka sjellë konfuzitet”, tha ai.

Ai vlerësoi se as administrata e Joe Bidenit nuk arriti ta rikthejë në mënyrë të qëndrueshme agjendën e Ballkanit, ndërsa mandati i dytë i Donald Trumpit ka sjellë ndryshime të tjera, të cilat, sipas tij, e bëjnë më të vështirë përcaktimin e politikës amerikane ndaj Kosovës.

“Pastaj kthimi i administratës Biden, demokratët, nuk e ka rivendosur mirë agjendën e Ballkanit. Një farë forme ndodhi një rreshtim me BE-në, e cila ishte e dëmtuar, e cila kishte një ulje të agjendës së saj për Ballkanin, dhe kaluan katër vite pothuajse në heshtje, pa ndonjë impakt të madh. Ndryshimet e reja në mandatin e dytë të presidentit Trump po ashtu kanë sjellë ndryshime të tjera shtesë, për të cilat është vështirë të definohet saktësisht Kosova. Por megjithatë, Kosova duhet të ruajë aleancën në disa aspekte strategjike, të sigurisë, të projekteve kapitale, ta ruajë këtë marrëdhënie, sepse Kosovës i duhet SHBA-ja në çdo rrethanë që të jetë një prej vendeve që gjen aleancë dhe mbështetje në çdo situatë, sepse do të varet anëtarësimi i Kosovës, respektivisht afrimi i Kosovës me NATO-n varet ekskluzivisht nga SHBA-ja, për shembull”, tha ai.

Sipas Rashitit, Kosova duhet të ndjekë një qasje më proaktive në raport me Uashingtonin dhe të ruajë aleancën strategjike me SHBA-në, edhe kur paraqiten kërkesa ose çështje që nuk përputhen plotësisht me qëndrimet e saj.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e BE-së.

“Dhe duhet të ketë një qasje shumë proaktive, nganjëherë edhe t’i përballojë kërkesave specifike, sfidave, çështjeve që nuk janë domosdo në vijë ose janë konform politikës kosovare, por duhet të përballesh, sepse kjo aleancë është shumë e rëndësishme afatgjatë. Pastaj ndryshimet, siç i kemi parë këto dekada të fundit në SHBA janë fluide, mund të kenë ndryshime pozitive dhe negative, kështu që duhet të ruhet kjo aleancë. Kjo tregon shembuj edhe për vende të tjera, edhe me zhvillime të tjera, edhe pas Brexit-it. Kosova do të duhej të konsolidonte tashmë edhe më shumë marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar, po ashtu edhe me vendet e BE-së. Kosova nuk arrin dot integrimin e plotë ndërkombëtar pa mbështetjen e këtyre aktorëve ndërkombëtarë dhe duhet gjithmonë të jetë shumë bashkëpunuese”, tha ai.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.