Dyshohet se solli ilegalisht gjashtë shtetas të Bangladeshit në Kosovë, ndalohet vetura në Viti
Viti – Një rast i dyshuar i kontrabandimit me migrantë është evidentuar në fshatin Dobresh të Vitisë, ku policia ka lokalizuar një veturë me shtatë persona brenda.
Ngjarja është raportuar më 17 tetor 2026, rreth orës 21:55. Gjatë kontrollit dhe identifikimit, policia ka konstatuar se, përveç drejtuesit të veturës, një shtetas kosovar, në automjet ndodheshin edhe gjashtë persona të cilët nuk kishin dokumente identifikimi me vete.
Sipas deklarimeve të tyre, ata ishin shtetas të Bangladeshit. Ndërkaq, drejtuesi i veturës ka deklaruar se personat e huaj i kishte sjellë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut, përmes rrugëve ilegale.
Pas intervistimit, i dyshuari dhe vetura janë liruar, ndërsa gjashtë personat me shtetësi të huaj janë trajtuar nga njësitë përkatëse. Atyre u është lëshuar edhe vërtetimi i akomodimit, në përputhje me procedurat ligjore./rajonipress/

