Policia në Gjilan shqipton 1,519 gjoba për një javë, 29 shoferëve u ndalohet drejtimi i automjeteve
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shqiptuar 1,519 gjoba në trafik gjatë periudhës 9 -15 tetor 2026, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë kësaj periudhe, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë zhvilluar aktivitete të shtuara për mbikëqyrjen e trafikut dhe zbatimin e rregullave të komunikacionit.
Gjatë javës raportuese, policia ka hetuar 26 aksidente trafiku, prej të cilave 10 aksidente me dëme materiale dhe 16 aksidente me persona të lënduar.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar shkeljeve që rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë e pjesëmarrësve në trafik. Për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit janë shqiptuar 38 gjoba, ndërsa për mosvendosjen e rripit të sigurisë janë shqiptuar 60 gjoba.
Po ashtu, ndaj 29 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike, në kuadër të masave të ndërmarra për zbatimin e rregullave të trafikut.
Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia apelon te shoferët që të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurisë dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve. Gjithashtu, kërkohet respektimi i sinjalistikës rrugore dhe semaforëve.
Sipas Policisë, respektimi i rregullave të trafikut dhe sjellja e përgjegjshme e secilit pjesëmarrës janë thelbësore për mbrojtjen e jetës dhe parandalimin e aksidenteve.
“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan./rajonipress/

