Letnica shënon Ditën e Bashkëpunimit Evropian 2026, në fokus trashëgimia kulturore dhe bashkëpunimi ndërkufitar
Viti – Në fshatin Letnicë të Komunës së Vitisë është shënuar Dita e Bashkëpunimit Evropian 2026, në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III Kosovë–Maqedoni e Veriut 2021–2027, me fokus promovimin e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në këtë aktivitet u vu në pah rëndësia e shtegut të Nënë Terezës si një pikë referimi për promovimin e vlerave të përbashkëta kulturore, zhvillimin e turizmit dhe thellimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve.
Në hapje të ngjarjes, fjalë rasti mbajtën përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë, institucioneve qendrore të Kosovës dhe institucioneve të Maqedonisë së Veriut, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar dhe të iniciativave të përbashkëta në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili vlerësoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për promovimin e vlerave evropiane dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve dhe komuniteteve.
“Bashkëpunimi ndërmjet vendeve dhe komuniteteve është thelbësor për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, të bazuar në solidaritet, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë”, theksoi Haliti.
Aktiviteti përfundoi me një ecje përgjatë shtegut të Nënë Terezës, përmes së cilës u promovuan vlerat kulturore dhe turistike të kësaj zone, si dhe potenciali i saj për të shërbyer si urë lidhëse ndërmjet komuniteteve.
Dita e Bashkëpunimit Evropian 2026 në Letnicë u organizua nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian në Kosovë, në kuadër të përpjekjeve për të nxitur partneritetin ndërkufitar dhe për të mbështetur iniciativa me interes të përbashkët për të dyja vendet./rajonipress/

