Rashiti: Marrëveshja LVV-PDK hap një fazë të re – por çfarë pritet pas zgjedhjes së presidentes?
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika, e ka vlerësuar zgjedhjen e presidentes dhe marrëveshjen ndërmjet Vetëvendosjes dhe PDK-së si zhvillime pozitive për funksionimin e institucioneve. Megjithatë, ai paralajmëron se problemet e grumbulluara kërkojnë maturi politike, bashkëpunim ndërpartiak dhe një qasje të re ndaj sfidave ndërkombëtare.
Në “Përballje Podcast”, nw Telegrafi, Rashiti ka folur për tejkalimin e bllokadës institucionale, pritjet nga presidentja e re, Justina Pula Shiroka, proceset në Dhomat e Specializuara dhe prioritetet e Kosovës për vitet e ardhshme.
Sipas tij, zhvillimet e fundit krijojnë një kornizë më të qartë për funksionimin e shtetit, me presidente me mandat të plotë, Qeveri me mandat dhe Kuvend funksional. Por kjo, siç thekson ai, duhet të shoqërohet me zgjidhjen e problemeve që janë shtuar gjatë krizave të vazhdueshme
“Janë grumbulluar shumë probleme, të cilat do të duhej një qasje e re politike për t’i adresuar dhe përshpejtuar zgjidhjen e tyre”, ka thënë Rashiti.
Ai ka kritikuar polarizimin politik dhe shoqëror, uljen e efikasitetit institucional dhe kërkimin e zgjidhjeve të përkohshme, duke vlerësuar se këto e kanë ushqyer pasigurinë politike dhe kushtetuese.
Në këtë kontekst, marrëveshjen VV–PDK e sheh si një shenjë të maturisë politike dhe si mundësi për të ndërtuar një kulturë më të qëndrueshme bashkëpunimi. Sipas tij, kjo frymë duhet të zgjerohet edhe te partitë e tjera parlamentare, sidomos për çështjet me interes shtetëror.
Presidentja duhet të ruajë balancat dhe të nxisë dialogun
Rashiti vlerëson se presidentja e re ka mundësi të ndikojë në uljen e polarizimit, falë përvojës dhe autoritetit të saj intelektual e institucional.
“Presidentja e re do të jetë një lloj profesoreshë për aktorët politikë”, është shprehur ai.
Megjithatë, Rashiti ka bërë dallimin ndërmjet pritjeve dhe veprimeve që mbetet të dëshmohen gjatë mandatit. Sipas tij, prioritetet e presidentes duhet të jenë ruajtja e rendit kushtetues, balanca ndërmjet pushteteve dhe ndërtimi i dialogut me subjektet parlamentare.
Ai ka përmendur edhe nevojën për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, përmes bashkëpunimit politik dhe respektimit të kritereve ligjore e kushtetuese.
Rashiti ka theksuar se presidentja duhet të ndërtojë marrëdhënie me komunitetet, veteranët, organizatat joqeveritare dhe segmentet e tjera të shoqërisë, duke ushtruar rolin e saj unifikues.
Kërkon mobilizim të ekspertizës ndërkombëtare për Dhomat e Specializuara
Një pjesë të rëndësishme të bisedës Rashiti ia ka kushtuar Dhomave të Specializuara. Ai ka kritikuar mënyrën e funksionimit të tyre, duke pretenduar se ka pasur mangësi në llogaridhënie dhe në respektimin e standardeve ndërkombëtare.
Përgjegjësinë për qasjen e deritanishme të Kosovës ndaj këtij procesi ai nuk e kufizon te Qeveria aktuale, por e shtrin edhe te qeveritë dhe subjektet politike të mëparshme.
Sipas Rashitit, reagimi institucional ka qenë i vonshëm dhe tash kërkohet një grup punues me përvojë, financim i konsiderueshëm dhe angazhim i ekspertëve ndërkombëtarë.
Ai ka propozuar ndarjen e 100 milionë eurove për mobilizimin e mekanizmave të specializuar ndërkombëtarë, ekspertizës, konferencave dhe komunikimit me qeveritë perëndimore.
Duke folur për ndryshimet ligjore, Rashiti e ka cilësuar çështjen komplekse dhe ka sqaruar se nuk merr përsipër të japë interpretim juridik të tyre. Theksin e ka vendosur te nevoja për një strategji më të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare.
Këshilli i Evropës dhe statusi kandidat për BE-në si objektiva
Për katër vitet e ardhshme, Rashiti ka identifikuar dy objektiva kryesorë: anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, institucionet duhet të ndërtojnë një agjendë të konsoliduar që përfshin bashkëpunimin rajonal, zbatimin e aspekteve të dialogut me Serbinë, normalizimin e situatës në veri, komunikimin me NATO-n dhe forcimin e marrëdhënieve me vendet e BE-së.
Rashiti ka kërkuar edhe rikonsolidim të diplomacisë dhe angazhim për njohje të reja, duke vlerësuar se marrëveshja për presidenten mund të shërbejë si bazë për dakordime të tjera shtetërore.
“Me kaq pak veprime politike të matura, Kosova mund të këndellet, të duket tërësisht më ndryshe brenda dhe jashtë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/.


