AARC takohet me kongresistin Gregory Meeks, diskuton për Kosovën, Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) zhvilloi një takim thelbësor me Kongresistin Gregory Meeks nga Nju Jorku, Anëtari Më i Lartë i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe mik i hershëm i komunitetit shqiptaro-amerikan. Nëse Demokratët rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kongresisti Meeks pritet të bëhet Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Ky ishte takimi i radhës i Këshillit me një numër zyrtarësh të lartë të Administratës, anëtarë të Kongresit Amerikan, dhe figura të njohura politike e publike në SHBA për të forcuar lidhjet mes dy kombeve tona.
Kongresisti Meeks u prezantua nga miku i tij i hershëm dhe i mirë, anëtari i Bordit të AARC-së Vehbi Bajrami, i cili foli për marrëdhënien e tyre të gjatë dhe historinë e angazhimit të Kongresistit Meeks me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe Kosovën.
Diskutimi u përqendrua krysisht në temat e Kosovës, Shqipërisë, Luginës së Preshevës, politikës së SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor si dhe atë të forcimit të angazhimit shqiptaro-amerikan me Kongresin.
Kongresisti Meeks rikonfirmoi mbështetjen e tij për afrimin e vazhdueshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për forcimin e marrëdhënies së saj strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Sa i përket Kosovës, Kongresisti Meeks theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënies së saj të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetjen për integrimin e saj të mëtejshëm në institucionet euroatlantike. Ai gjithashtu shprehu pikëpamjen se Serbisë i duhet të ndryshojë qasjen e saj ndaj shqiptarëve në Serbi dhe mbështeti parimin se të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të përkojnë me të drejtat që u garantohen serbëve në Kosovë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u përqendrua në forcimin e Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres si dhe nevoja për më shumë vëmendje të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve ndaj çështjeve shqiptare dhe të Ballkanit Perëndimor. AARC diskutoi gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit midis Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres dhe Kaukusit të Kongresistëve Afro-Amerikanë në fusha me interesa të përbashkët.
Gjatë takimit u shqyrtua gjithashtu organizimi i një delegacioni dypartiak të Kongresit në Ballkanin Perëndimor. Kongresisti Meeks shprehu interes për të kuptuar më thellë personalisht rajonin, përmes një vizite të mundshme që do të përfshinte Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Luginën e Preshevës.
Ai solli ndërmend gjithashtu se angazhimit të tij personal me Kosovën ia gjen gjurmët që nga administrata e Presidentit Clinton dhe përpjekjeve të tij dhe të Shteteve të Bashkuara për të ndalur spastrimin etnik të popullit të Kosovës.
U diskutua gjithashtu edhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Kongresisti Meeks shprehu pikëpamjen se trajtimi i procedurave duhej të ishte rishqyrtuar dhe se duhej t’i jepej një konsideratë më e madhe një rezultati që mund të kishte çuar në lirimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Ndër të pranishmit në takim ishin Kryetari i Bordit të AARC-së Eli Rusi, Nënkryetari Tony Marke, Sekretari Burim Rexhaj, Arkëtari Roland Nezaj, si dhe anëtarët e Bordit Vehbi Bajrami dhe Agim Jusufi, së bashku me udhëheqës të tjerë nga komuniteti shqiptaro-amerikan.
AARC me anë të një deklarate lidhur më ketë takim vlerësoi miqësinë e Kongresistit Meeks, angazhimin e tij të hershëm me komunitetin tonë dhe gatishmërinë e tij për të vazhduar punën me ne për çështje me rëndësi për shqiptarët në mbarë Ballkanin Perëndimor.
“Ne presim me kënaqësi që ky diskutim i rëndësishëm të shërbejë si bazë për të vazhduar punën tonë dypartiake në Uashington për forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar”, thuhet në deklaratën për publikun nga Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane. (Illyria)





