Kamenica dhe Policia nënshkruajnë marrëveshje për hapjen e Zyrës Sektoriale të Policisë në Karaçevë të Poshtme
Kamenicë – Komuna e Kamenicës dhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për hapjen e një Zyre Sektoriale të Policisë në Karaçevë të Poshtme, me qëllim të forcimit të sigurisë dhe përmirësimit të shërbimeve policore për qytetarët.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili ka njoftuar se marrëveshja është nënshkruar së bashku me drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi.
Në kuadër të marrëveshjes, Komuna e Kamenicës ka vënë në dispozicion të Policisë ish-objektin e Ambulancës së Mjekësisë Familjare (AMF) në Karaçevë të Poshtme, pronë komunale e cila do të shfrytëzohet për funksionalizimin e zyrës së re policore.
Sipas Rahimajt, përveç hapësirës, Policia do të pajiset edhe me inventar të ri dhe pajisje teknologjike, të cilat synojnë të lehtësojnë punën e zyrtarëve policorë dhe të rrisin efikasitetin e shërbimeve të tyre.
Kryetari Rahimaj ka theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor për krijimin e kushteve më të mira të punës për institucionet e sigurisë dhe për avancimin e shërbimeve në interes të qytetarëve.
“Mbështetja për institucionet e sigurisë është investim në një komunitet më të sigurt, më të mbrojtur dhe me më shumë besim”, ka deklaruar Rahimaj.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Rahimaj dhe Rukiqi kanë vazhduar vizitën në Stacionin Policor në Kamenicë, ku kanë parë nga afër funksionimin e sistemit të kamerave të sigurisë, të cilat tashmë janë pjesë e masave për rritjen e sigurisë në komunë.
Hapja e Zyrës Sektoriale të Policisë në Karaçevë të Poshtme dhe funksionalizimi i pajisjeve të reja synojnë të kontribuojnë në forcimin e pranisë policore dhe në përmirësimin e sigurisë publike në këtë zonë./rajonipress/


