Gashi: Koha që LDK ta qartësojë rrugën e saj, pas bashkëpunimit VV-PDK s’ka më arsye të demonizohen kundërshtarët
Deputeti i LDK’së, Arben Gashi, pas bashkëpunimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK’së që çoi në zgjedhjen e Presidentes së re, tha se beson që ky është fundi i një tranzicioni dhe fillimi i një cikli të ri politik në Kosovë.
Muajt në vijim do ta dëshmojnë, thotë Gashi, ndërsa shton se tashmë bashkëpunimet mes partive politike nuk duhet të “demonizohen”.
“Pas bashkëpunimit të fundit formal mes LVV-së dhe PDK-së, ka ardhur koha që bashkëpunimi politik të mos jetë më arsye për demonizimin e kundërshtarëve. Rëndësi ka për çfarë bashkëpunojmë dhe çfarë sjellim për vendin. Tash është koha që qeverisja të matet me rezultate, e jo me arsyetime dhe fajësime të së kaluarës. Qytetarët presin zhvillim, siguri dhe shpresë për të ardhmen”.
Për partinë e tij, Gashi tha se kjo është koha për ta përcaktuar qartë rrugën e saj.
“Pa vija të kuqe të përhershme, por me parime të qarta. Të kaluarën nuk e harrojmë, por të ardhmen nuk duhet ta mbajmë peng të saj. Këtu fillon rilindja jonë: me më shumë besim, bashkim dhe një politikë moderne, që i përfaqëson qytetarët dhe u jep shpresë për të ardhmen. Koha është tash. Koha është për LDK-në”, ka shkruar ai.


