Policia në Gjilan shqipton 1,736 gjoba për një javë, regjistrohet edhe një aksident me fatalitet
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka shqiptuar 1,736 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë periudhës 2–8 tetor 2026.
Sipas njoftimit të Policisë, aktivitetet janë zhvilluar në kuadër të zbatimit të planeve operative që synojnë rritjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe respektimin e rregullave të komunikacionit.
Gjatë kësaj periudhe, Policia ka hetuar 18 aksidente trafiku me dëme materiale, shtatë aksidente me persona të lënduar dhe një aksident me fatalitet.
Po ashtu, ndaj 39 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve.
Në veçanti, Policia ka apeluar që, në rastet e aksidenteve me dëme të vogla materiale, drejtuesit e automjeteve të ruajnë qetësinë, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, të fotografojnë vendin e ngjarjes, të shkëmbejnë të dhënat dhe ta plotësojnë e nënshkruajnë Raportin Evropian të Aksidenteve.
Në fund, Policia ka rikujtuar rëndësinë e mbajtjes së këtij raporti në automjet, duke theksuar se respektimi i rregullave dhe bashkëpunimi ndërmjet pjesëmarrësve në trafik janë të rëndësishëm për një komunikacion më të sigurt për të gjithë./rajonipress/


