Gjendet një trup i pajetë në liqenin e Livoçit të Epërm, dyshohet se i përket një personi të zhdukur
Gjilan – Një trup i pajetë është gjetur në liqenin e fshatit Livoç i Epërm në Gjilan, më 8 tetor 2026, rreth orës 14:12.
Sipas raportit të Policisë, një qytetar ka njoftuar autoritetet pasi ka vërejtur trupin në ujë. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë bërë nxjerrjen e trupit nga liqeni.
Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar se viktima nuk kishte shenja jete.
Viktima nuk kishte dokumente identifikimi, ndërsa, sipas hetimeve fillestare, dyshohet se bëhet fjalë për një mashkull kosovar, i cili ishte raportuar si person i zhdukur dy ditë më parë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente./rajonipress/


