Mos ia shihni për të madhe LDK-së së vetkurthuar në rrëfimin e vet të rrejshëm politik
Nga Besa Ismaili-Ahmeti – LDK-ja e Ibrahim Rugovës, me gjasë, ka vdekur bashkë me Rugovën. Mos ia shihni për të madhe LDK-së së Lumirit sot. Ajo që ka mbetur është një strukturë e kapur në kurthin e rrëfimit të vet të rrejshëm politik dhe të premtimeve ndaj familjeve të viktimave.
Për vite me radhë, në vend që dhimbjen e tyre ta trajtonte me përgjegjësi dhe kërkesën për drejtësi ta ndiqte me vendosmëri, e ka përdorur atë si kapital politik sa herë që i ka leverdisur.
Kapital politik e ka konsideruar akuzën e pabazuar ndaj UÇK-së dhe asnjëherë akuzën ndaj shërbimeve sekrete serbe, madje as dyshime nuk ka ngritur ndonjëherë.
Pikërisht ky përdorim politik i dhimbjes e ka çuar LDK-në në krizën ku ndodhet sot. Për të mbijetuar politikisht, ajo ka dhënë premtime dhe ka ndërtuar një narrativë që tash e ka bërë peng të vetvetes. Ka gënjyer ndërsa sot nuk po mund të dalë nga gënjeshtrat e veta.
Është kurthuar në hakun e familjeve, të cilat i ka përdorur si mbështetje politike.
Ky kurthim ia shpalosi edhe njëherë zbrazëtirën politike që kanë ndërtuar. Dhe sot e përjetë e mot më, emri i Rugovës nuk do të mund t’ua mbulojë zbrazëtinë politike.
Një parti që ndërtoi mbijetesën mbi dhimbjen e të tjerëve, sot manifeston krizën e vet morale dhe politike. Këto kriza nuk po ua ngushëllojnë më as bullizimet nga LVV.
Politika, herët a vonë, i jashtë-nxjerrë ata që dinë vetëm të përfitojnë prej saj. Koha është gjykatësi më i drejtë.
Prandaj apeloj tek qytetarët e zemëruar me mosvotimin e tyre, të mos ua shohin për të madhe deputetëve të LDK-së, të kenë qetësinë e reagimit dhe madhështinë e tolerancës dhe faljes ndaj të njëjtëve.
Aq e kishin takatin, aq e treguan.
Ata, pas vdekjes së Rugovës, për gjynah mbijetuan politikisht; për gjynah edhe u vetpensionuan sot.


