Gjendje e rëndë në hapësirat e përbashkëta të ndërtesave në qendër të Gjilanit
Gjilan – Një fotografi e publikuar në rrjetet sociale nga Bashkim Isufi ka rikthyer vëmendjen te gjendja e hapësirave të përbashkëta në disa ndërtesa të banimit kolektiv në qendër të Gjilanit.
Isufi ka publikuar një fotografi që paraqet një bodrum në gjendje të rëndë higjienike dhe të mirëmbajtjes, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si trajtohen hapësirat që u përkasin përbashkërisht banorëve.
“Kjo fotografi nuk është vetëm një pamje e një bodrumi të papastër. Është një pasqyrë e mënyrës se si, në disa ndërtesa të banimit kolektiv në qendër të Gjilanit, po trajtohen hapësirat e përbashkëta”, ka shkruar Isufi.
Fotografia e publikuar prej tij tregon një hapësirë të amortizuar dhe të parregulluar, duke ngritur pikëpyetje mbi mirëmbajtjen, higjienën dhe përgjegjësinë për hapësirat e përbashkëta të banorëve.
Ky shqetësim vjen në një kohë kur gjendja e infrastrukturës dhe mirëmbajtja e hapësirave publike e kolektive në Gjilan janë bërë pjesë e reagimeve të vazhdueshme publike. Isufi edhe më herët ka ngritur çështje që lidhen me gjendjen e infrastrukturës dhe përgjegjësinë institucionale në qytet.
Fotografia e publikuar e vendos në fokus një problem që shpesh mbetet jashtë vëmendjes publike: hapësirat që nuk janë as plotësisht private, as publike, por që përbëjnë pjesë të rëndësishme të jetës së përditshme të banorëve të ndërtesave kolektive./rajonipress/


