Tahiri: Nesër duhet të jetë një nisje e re për mbrojtjen e luftës çlirimtare
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Kuvendi i Kosovës nesër duhet ta miratojë Ligjin për Specialen në të dyja leximet, duke e konsideruar këtë vetëm fillimin e një angazhimi më të gjerë institucional.
Në një postim, Tahiri ka kërkuar që gjatë shqyrtimit të dytë të ligjit të verifikohet me kujdes nëse ka mbetur ndonjë çështje pa u përfshirë nga Komisioni për Legjislacion dhe, nëse është e nevojshme, të bëhen amendamentet përkatëse.
Postimi i plotë:
Nesër në Kuvendin e Kosovës do të jetë një ditë e gjatë. Aty, me një zë, Kuvendi duhet ta miratojë Ligjin për Specialen në të dyja leximet.
Por ky ligj duhet të jetë vetëm fillimi i një reagimi proaktiv të shtetit në mbrojtje të historisë dhe të vlerës më të madhe kombëtare, luftës çlirimtare.
Nesër nuk duhet të bëhet lojë me asnjërin lexim.
Në leximin e dytë duhet ta trajtojmë me shumë kujdes nëse ka mbetur diçka pa u përfshirë në Komisionin për Legjislacion, në mënyrë që të bëhet çdo amendament i nevojshëm që e përmirëson ligjin.
Kjo çështje nuk duhet të shndërrohet në fushëbetejë për interpretime politike, e as në garë se kush po paraqitet më i mirë apo më i zëshëm.
Nesër duhet të jetë një nisje e re.
Në dy vitet që vijnë, shteti i Kosovës duhet të tregojë seriozitet në raport me procesin gjyqësor në Hagë.
Kosova duhet të ketë një qasje institucionale, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës për luftën çlirimtare.
Nesër nuk duhet të jetë fundi i një debati, por fillimi i një pune më të madhe të shtetit për çlirimtarët.


