Sokol Haliti mbështet themelimin e Shoqatës së Mjekëve të Vitisë, Gazmend Halili zgjidhet kryetar
Viti – Është mbajtur Kuvendi Themelues i Shoqatës së Mjekëve të Vitisë, ku u diskutua për rëndësinë e organizimit profesional, bashkëpunimit ndërmjet mjekëve dhe avancimit të zhvillimit profesional në fushën e shëndetësisë.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe drejtori i Shëndetësisë, Halil Musliu. Takimi u hap nga Dr. Vjollca Kadolli-Halili, ndërsa për rëndësinë, qëllimin dhe themelimin e shoqatës foli Dr. Shemsedin Sadiku.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Haliti e vlerësoi themelimin e shoqatës si një nismë që synon të forcojë organizimin profesional, bashkëpunimin dhe kontributin e përbashkët në zhvillimin e mëtejmë të sektorit shëndetësor.
Haliti theksoi se Komuna e Vitisë do të vazhdojë të mbështesë nismat që promovojnë profesionalizmin dhe bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve.
Në Kuvendin Themelues u zgjodhën edhe strukturat drejtuese të shoqatës. Dr. Gazmend Halili u zgjodh kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Vitisë, Dr. Ramadan Halimi kryesues i Kuvendit, ndërsa Dr. Bashkim Hazizi kryetar i Këshillit Mbikëqyrës.
Komuna e Vitisë u ka uruar punë të mbarë drejtuesve të rinj të shoqatës dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim institucional në funksion të objektivave të përbashkëta në fushën e shëndetësisë./rajonipress/


