Investime të reja në rrjetin elektrik në Viti, përurohet trafoja e re në Kabash
Viti – Përmirësimi i infrastrukturës energjetike dhe rritja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike kanë qenë në fokus të takimit ndërmjet kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të KEDS-it, Avni Alidemaj.
Gjatë takimit, Haliti ka paraqitur nevojat dhe prioritetet e komunës në fushën e energjisë elektrike, duke kërkuar mbështetjen e KEDS-it për investime të reja në zonat ku infrastruktura energjetike kërkon përmirësim. Në veçanti, është theksuar nevoja për shtrirjen e rrjetit elektrik në Zonën Ekonomike në Budrikë, e cila konsiderohet e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset.
Në takim është diskutuar edhe për disa fshatra të Vitisë, të identifikuara si prioritete për investime, me synim rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm dhe cilësor për qytetarët.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i KEDS-it, Avni Alidemaj, ka shprehur përkushtimin e kompanisë për realizimin e investimeve në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe prioritetet e përcaktuara. Ai ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet komunale të Vitisë.
Gjatë takimit, ku morën pjesë edhe drejtori regjional dhe përfaqësues të sektorëve të KEDS-it, u prezantuan investimet e realizuara deri më tani, si dhe projektet që pritet të zbatohen në periudhën e ardhshme.
Sipas KEDS-it dhe Komunës, Vitisë do t’i kushtohet vëmendje e veçantë në kuadër të investimeve për modernizimin dhe përmirësimin e rrjetit elektrik.
Për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e projekteve në komunë, kryetari Sokol Haliti e ka nderuar me mirënjohje zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të KEDS-it, Avni Alidemaj.
Përurohet trafoja e re në Kabash
Pas takimit, drejtuesit e KEDS-it dhe përfaqësuesit e Komunës së Vitisë kanë marrë pjesë në përurimin e trafos së re elektrike në fshatin Kabash.
Investimi pritet të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të rrjetit dhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për banorët e Kabashit dhe lokalitetet përreth. Projekti është vlerësuar si një ndërhyrje e rëndësishme në infrastrukturën energjetike të kësaj zone.
Komuna e Vitisë dhe KEDS-i kanë konfirmuar gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe identifikimin e projekteve të reja, me synim modernizimin e rrjetit elektrik dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët./rajonipress/


