Haliti dhe Rafuna diskutojnë për zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e bizneseve në Viti
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e komunitetit të biznesit dhe mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe përfaqësuesve të sektorit privat.
Takimi është zhvilluar në kuadër të vizitave që kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës po realizon në komunat e vendit, me synim njohjen nga afër me nevojat, potencialet dhe sfidat me të cilat përballen bizneset, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet OEK-ut dhe institucioneve lokale.
Gjatë takimit, kryetari Haliti e ka njoftuar Rafunën për aktivitetet dhe angazhimet e Komunës së Vitisë në funksion të zhvillimit ekonomik, investimet e realizuara dhe potencialet që ofron kjo komunë, veçanërisht në bujqësi, përpunim, prodhim dhe sektorin privat.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve i është kushtuar Zonës Ekonomike të Vitisë, për të cilën Haliti ka theksuar nevojën për mbështetje të mëtejshme institucionale dhe investime, me qëllim të funksionalizimit të plotë të saj dhe shfrytëzimit të potencialit që ka për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Nga ana tjetër, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka theksuar angazhimin e Odës për mbështetjen e bizneseve dhe adresimin e kërkesave të tyre brenda kompetencave të institucionit që drejton.
Rafuna ka prezantuar edhe disa prej aktiviteteve të fundit të OEK-ut, përfshirë çështjen e barkodeve të lëshuara për bizneset, si dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përmes së cilës synohet realizimi i një studimi ekonomik dhe strategjik. Ky studim ka për qëllim identifikimin e sektorëve në të cilët Kosova mund të ndërtojë kapacitete konkurruese dhe të pozicionohet më mirë në tregjet ndërkombëtare.
Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit të Vitisë, duke krijuar hapësirë për diskutim të drejtpërdrejtë mbi nevojat dhe sfidat e sektorit privat.
Pjesëmarrësit kanë vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet komunës, Odës Ekonomike dhe komunitetit të biznesit, veçanërisht në krijimin e kushteve më të favorshme për investime, zhvillim ekonomik dhe punësim.
Në përfundim të takimit, në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe kontributin në forcimin e marrëdhënieve me Komunën e Vitisë, kryetari Sokol Haliti e ka nderuar kryetarin e OEK-ut, Lulzim Rafuna, me mirënjohje./rajonipress/


