Rrustemi: LVV s’është kundër ndryshimit të ligjit për Specialen, por duhet ta bindim njëri-tjetrin se kjo e ndihmon procesin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se kjo parti “nuk është kundër” ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale.
Rrustemi tha në KosovaLive në T7 se “duhet të sigurohemi që po ndihmojnë”, me ndryshimin e këtij ligji.
“Unë ende s’jam i bindur. Nëse ata janë të bindur, le të diskutojmë me njëri-tjetrin”, tha ai.
Përmbajtja nuk ka rëndësi, sipas tij. Tha se ai personalisht do ta votonte edhe zhbërjen e kësaj gjykate.
“Përmbajtja, sado që është komplekse, unë personalisht do ta votoja edhe sikur përmbajtjen do ta kishte ekstreme deri në zhbërje, por nëse do ta bindnim njëri-tjetrin që kjo e ndihmon minimalisht procesin”, tha ai.
Rrustemi tha se “këtë analizë duhet ta bëjmë”.
“Jo çfarë ka shkruar në projektligj. Por në raport me faktin që e kanë futë në Kushtetutë, në raport me faktin që ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, në raport me faktin që kemi dy marrëveshje ndërkombëtare, në raport me faktin që i kanë paraparë kësaj gjykate Avokatin e Popullit dhe Gjykatën e vet Kushtetuese…” tha ai.
Rrustemi tha se duhet diskutuar “për rreziqet eventuale të kësaj nisme”.
“Gjykata Speciale e ka edhe Gjykatën e vet Kushtetuese. Ata mund ta trajtojnë këtë nismë. Mund ta betonizojnë heqjen dorë nga sovraniteti i shtetit, kur e kemi themelu këtë Dhomë të Specizlizuar”, tha ai.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në një aktgjykim të fundit se afati për zgjedhjen e Presidentit “përfundon më 6 tetor 2026”. Presidenti duhet të zgjidhet deri në atë datë, në të kundërtën, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditësh nga ajo datë.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha sot më herët se çështja e ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale nuk duhet të lidhet me çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
“Ligji është mbi secilin kalkulim politik. Presidenti është konsensus politik, vullnet politik i subjekteve politike. Qysh kemi bërë ftesë në të kaluarën, bëjmë ftesë prapë të mbërrihet konsensusi. Por ligji e tejkalon. Ligji është obligim kombëtar i yni. Obligim për gjakun e dëshmorëve, obligim për gjeneratat që do të vijnë”, tha Arian Tahiri në një konferencë për media.

