Vitia shënon Ditën Botërore të Zemrës me aktivitete për ndërgjegjësimin e qytetarëve
Viti – Komuna e Vitisë ka shënuar më 29 shtator Ditën Botërore të Zemrës, me një aktivitet të organizuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti.
Në qendër të qytetit, një ekip i QKMF-së ka realizuar matjen e tensionit të gjakut dhe nivelit të sheqerit në gjak për qytetarët. Gjatë aktivitetit janë shpërndarë edhe fletushka informuese me këshilla për ruajtjen e shëndetit, aktivitetin fizik dhe mënyrat e parandalimit të shtypjes së lartë të gjakut.
Aktivitetin e ka vizituar edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka theksuar rëndësinë e shënimit të ditëve të veçanta të ndërgjegjësimit shëndetësor.
Haliti ka deklaruar se aktivitete të tilla kanë rëndësi në ruajtjen dhe promovimin e shëndetit të qytetarëve, duke shtuar se Komuna e Vitisë vazhdimisht organizon aktivitete të vetëdijesimit që lidhen me shëndetin publik.
Përmes këtij aktiviteti, qytetarët janë informuar për rëndësinë e kontrollit të rregullt të tensionit dhe sheqerit në gjak, aktivitetit fizik dhe kujdesit ndaj shëndetit të zemrës./rajonipress/


