Gjimshiti: Nuk është ndeshje e thjeshtë ndaj San Marinos, synojmë vendin e parë në grup
Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti ishte pjesë e konferencës për shtyp, para ndeshjes ndaj San Marinos, që luhet nesër, 29 shtator.
Ai theksoi në konferencën për media se përballja me San Marinon nuk duhet konsideruar e thjeshtë, duke kërkuar përqendrim maksimal dhe mentalitetin e duhur nga skuadra.
Gjimshiti u shpreh se Shqipëria synon vendin e parë në grup dhe se për ta arritur këtë duhet që i gjithë grupi të luajë së bashku, me agresivitet, cilësi dhe angazhim maksimal për 90 minuta
“Nuk është e thjeshtë, por besoj që përqëndrimi duhet të jetë në çdo ndeshje 100%, por edhe më shumë në këto ndeshje që të gjithë presin që Kombëtarja jonë të ketë kontrollin e lojës. Shumica besojnë që do të jetë një ndeshje e thjeshtë, por nuk do të jetë ashtu aspak. Varet nga ne, a do ta bëjmë të thjeshtë apo jo. Përqëndrimi është 100%”, tha ai fillimisht.
Ai tha se duan vendin e parë në grup, derisa tha se fokusi duhet të jetë në nivelin më të lartë.
“Sigurisht nuk ishte një periudhë e mirë, por u kthyem te fitorja dhe te ndeshjet që janë shumë të rëndësishme. Nations League na jep një opsion për Europianin. Besoj që hapi i parë ishte te ndeshja e fundit që zhvilluam një lojë të mirë dhe fituam me meritë. Sigurisht synimet janë të forta. Duam vendin e parë dhe ajo që duhet të përmirësohet është i gjithë grupi, të luajmë bashkë dhe të japim gjithçka në fushë për 90 minuta. Në këtë nivel, nëse gabon shumë shpejt ndryshon loja dhe duhet të jesh i fokusuar”, shtoi ai.
“Duhet të futemi në fushë me mentalitetin e duhur. Të jemi gati 100%. Varet edhe se si do të luajë San Marino, por edhe mënyra se si do të futemi ne në fushë, me agresivitetin dhe kualitetin që kemi. Besoj që mund t’ia dalim të gjithë së bashku. Të gjithë lojtarët që do të jenë në fushë dhe nga pankina janë shumë të rëndësishëm nesër. Kjo duhet të jetë forca jonë”, vazhdoi tutje kapiteni shqiptar.
Gjimshiti tregoi se cili është lojtari që e njeh nga reparti sulmues i San Marinos, ndaj të cilit edhe ka luajtur kundër.
“E njoh sulmuesin, e ka emrin Nanni, kam luajtur kundër. Është fizikisht i madh, pothuajse 1.90 si unë, e mban shumë mirë topin. Në Itali kur nuk ke ndeshje brenda javës bën ndonjë miqësore me ndonjë skuadër të Serisë C apo Serisë D dhe gjithmonë sulmuesit janë ato që kanë më shumë kualitet, apo numri 10 dhe nuk është e thjeshtë. Kanë cilësi dhe kualitet, duhet të jesh 100% i fokusuar sepse mund të ndodhë gjithçka në futboll”, tha ai.
Gjimshiti u pyet edhe se a kishte kërkesa të shumta për biletë, për këtë përballje.
“Në këtë rast më shumë është një shoku im romun që kemi luajtur bashkë në Itali dhe ai më ka pyetur për biletë”, e mbylli ai.
Ndeshja San Marino – Shqipëri luhet nesër, 29 shtator, me fillim nga ora 20:45, në kuadër të xhiros së dytë për Ligën e Kombeve, Liga C.
Shqipëria ka tri pikë nga xhiroja e parë, pas fitores ndaj Bjellorusisë, 2-0 në Tiranë./GazetaExpress/

