Vllasi: Nëse jo vendim lirues, Apeli do t’i zvogëlojë dukshëm dënimet
Analisti politik Azem Vllasi ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë e ka trazuar Kosovën si asnjëherë më parë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Vllasi ka thënë se tani beteja vazhdon me ankesat në shkallën e dytë.
“Meqë vendimi i shkallës së parë ka shumë të meta, ankesat mund të bëhen mirë. Por nuk duhet harruar se kemi të bëjmë me të njëjtën gjykatë. Sido që të jetë, kjo do të marrë edhe nja dy vjet. Nëse jo vendim lirues, shkalla e dytë do t’i zvogëlojë dukshëm dënimet dhe, me kalimin e dy të tretave të asaj kohe, ata do të dalin në liri”, ka thënë Vllasi për IndeksOnline.
Më tutje, ai ka thënë se, në situatën e krijuar, partitë politike dhe liderët duhet t’u kthehen me përgjegjësi të lartë interesave të shtetit dhe popullit.
“Rivalitetet dhe inatet personale e grupore duhet të lihen anash. Duhet shpejt ta gjejnë një kandidat për president, mundësisht jopartiak, të një profili si ai i profesor Sejdiut. T’i sigurojnë jo vetëm 80, por edhe më shumë vota, sepse në interes të shtetit është që të ketë president dhe të mos shkohet sërish në zgjedhje”, ka shtuar ai.
Më tutje, ai ka thënë se një shtet i konsoliduar, me lidership të përgjegjshëm dhe funksional, mund t’u ndihmojë edhe krerëve të UÇK-së të dënuar në Hagë.
Asnjë parti apo grup politik, sipas tij, nuk ka interes që ta mbajë shtetin peng për shkak të mungesës së votave për president.


