Kosovari i ekstraduar në SHBA do të dënohet me burgim, Ambasada amerikane falënderon kryprokurorin Isufaj dhe institucionet e Kosovës
Shtetasi i Kosovës, Ardit Kutleshi, 28 vjeç, do të përballet me dënim me burgim në SHBA, pasi pranoi fajësinë për krijimin dhe operimin e “Rydox”, një faqe interneti dhe treg i paligjshëm ku kriminelët kibernetikë mund të blinin, shisnin dhe shkëmbenin të dhëna personale të vjedhura, si dhe të aksesonin pajisje e mjete për kryerjen e krimeve kibernetike dhe mashtrimeve.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e cilësoi këtë si shembull të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e falënderuar zyrën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufajn dhe institucionet e tjera në Prishtinë.
“Një tjetër shembull i bashkëpunimit të suksesshëm SHBA-Kosovë në luftën kundër krimit kibernetik transnacional. Faleminderit Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, si dhe të gjithë të përfshirëve, për bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer në sjelljen e këtij rasti para drejtësisë!”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Kutleshi u arrestua nga autoritetet e zbatimit të ligjit në Kosovë në dhjetor 2024 dhe u ekstradua nga Kosova në Shtetet e Bashkuara në vitin 2025.


