Fuqia punëtore, Oda Amerikane kërkon rol më të madh të bizneseve në vendimmarrje
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar Tryezën Kombëtare për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore, ku u diskutua për sfidat me të cilat përballen bizneset, mungesën e fuqisë punëtore, largimin e punonjësve nga vendi dhe nevojën për përshtatjen e sistemit arsimor me kërkesat e tregut të punës, raporton Ekonomia Online.
Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se bizneset duhet të kenë rol më të madh në proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse, me qëllim që sfidat e tregut të punës të adresohen më shpejt.
“Të gjitha gjetjet tona kryesore, veçanërisht me aplikimin e masave, është ajo që bizneset duhet të ndërmarrin pak më shumë sa i përket funksioneve vendimmarrëse dhe politikëbërëse në këtë aspekt, domethënë në sektorin publik, sepse kjo do të ndihmojë që të ketë zgjidhje më të shpejtë të këtyre krizave. Mund të jetë që të ndryshojmë situatën siç duhet sa i përket krizave që sektorë të caktuar të industrisë ballafaqohen. Kjo është ajo që ne kemi pasur pak a shumë nga kjo shoqëri që është këtu, por përveç kësaj, ne gjithashtu kemi parë që një pjesë e madhe e tyre, domethënë ka një nevojë për përfshirjen e të gjitha grupeve, sepse kjo është e domosdoshme, domethënë përpjekja e përbashkët e të gjithëve është ajo që e bën, është rruga e vetme për përparim”, tha Zeka.
Ai theksoi se një nga shqetësimet kryesore mbetet largimi i fuqisë punëtore nga Kosova, duke vlerësuar se ky trend kërkon angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror.
“Kjo sfidë e përfshirjes së të gjithëve është diçka që është diskutuar shumë, përfshirja e të gjitha gjeneratave, është diçka që i përket gjeneratës sonë, domethënë në marrëdhënie me tregun e punës. Është një temë që e diskutojmë shumë. Në këtë shtjellim, disa prej gjetjeve ndoshta më specifike. Ju lutem vetëm për të kuptuar. Kemi vënë re që dy vite para pandemisë dhe në vitet pas pandemisë, kemi pasur një rritje të interesit të punonjësve për sektorin privat. Natyrisht, ne kemi ndoshta sfidat dhe të gjitha raportet e ndryshme që prezantohen ditët e fundit tregojnë një numër të madh jo vetëm të të rinjve, por edhe të fuqisë punëtore që kërkojnë të largohen nga vendi. Ky është një trend i cili është mjaft shqetësues”, tha ai.
Zeka tha se në diskutimet me institucionet është vërejtur nevoja për ndryshime edhe në arsim, duke përmendur vlerësimet e bizneseve për arsimin dhe cilësinë e punës.
“Si t’i mbajmë këta persona, persona të tillë që diskutojnë për këtë çështje, domethënë sa i përket mbrojtjes së fuqisë punëtore? Por, ajo që kemi diskutuar me ministren, domethënë, kemi hyrë pak më thellësisht dhe do të thosha se kemi gjetur diçka shumë interesante në lidhje me këtë diskutim. Bizneset e rendisin arsimin dhe cilësinë e punës si dy nga pozicionet të cilat kanë më së paku peshë për të ndryshuar situatën, domethënë sa i përket kësaj përpjekjeje për mbrojtjen e fuqisë punëtore. Domethënë, nivelin e universiteteve, domethënë në lidhje me arsimin profesional, por edhe ekonominë, vetëm 13% e respondentëve apo në 13% të përgjigjeve të respondentëve thuhet se këtu ka punë për të bërë në këtë arsim”, u shpreh Zeka.
Ai shtoi se përgjegjësia për adresimin e këtyre problemeve nuk mund t’u takojë vetëm institucioneve, por kërkon angazhim më të gjerë.
“Në mendjen time dhe në mendjen e të gjithë atyre që e shohin këtë përpjekje si të përfshirëse, nuk i përket përgjegjësia vetëm ministrisë apo vetëm institucioneve, por vetëm pjesë e këtij aksioni për shoqërinë në shkallë shteti, përpjekje universale e cila duhet të bëhet. Dhe besoj që këtu mund të gjendet edhe një nga arsyet pse ne kemi reaguar. Ajo çfarë bëhet është edhe procesi i konsultimit publik edhe i marrjes së publikut pak më shumë”, tha Zeka.
Ndërkaq, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, tha se në fushën e edukimit të hershëm prioritet mbetet sigurimi i qasjes dhe përballueshmërisë së kostos për familjet.“Dy janë parimet thelbësore pas nesh: e para lidhet me qasjen, kurse e dyta lidhet me përballueshmërinë e kostos. Pra kemi nevojë që çdo familje të ketë në afërsi një çerdhe, qoftë ajo publike ose jopublike, dhe e dyta është që të jetë e përballueshme. Kuptohet që po qe se është publike, mbetet e përballueshme, ndërsa kur është jopublike, atëherë ne jemi duke dizajnuar skemën e subvencionimit për familjet që ta mbulojmë pjesën e papërballueshme të kostos, sepse kemi nevojë që sa më shumë fëmijë të jenë në këtë shërbim të hershëm, me qëllim që përveç tjerash edhe fëmijët të kenë një fillim të mbarë, por edhe të rritet shkalla e mbulueshmërisë dhe potenciali ekonomik i grave, sepse gratë, veçanërisht nënat, janë përgjegjëset kryesore për rritjen e fëmijëve”, tha Çeku.
Çeku foli edhe për arsimin profesional dhe bashkëpunimin me sektorin privat, duke thënë se pas promovimit të arsimit dual, synimi është bashkëdrejtimi i sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional.
“Fusha e dytë lidhet me arsimin dhe arsimin profesional. E treta ka të bëjë me bashkëpunimin me sektorin privat, sepse kemi bërë hapa të mirë në promovimin e arsimit dual. Tani duhet të kalojmë në nivelin tjetër, sepse synimi ynë është bashkëdrejtimi i sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional, pra bashkëdrejtimi me institucionet e shtetit dhe sektorin privat. Shkollat profesionale në Kosovë do të jenë me të vërtetë efikase dhe do të ecin me shpejtësinë e sektorit privat. Ligji i ri për arsimin dhe arsimin profesional, që tashmë është në procedurë të miratimit, krijon frymën jo vetëm të bashkëpunimit, por të bashkëdrejtimit të shkollave profesionale mes qeverisë dhe sektorit privat”, deklaroi ai.
Sipas tij, Këshillat Sektorialë të Shkathtësive do të kenë rol në përshtatjen e programeve profesionale me nevojat e tregut të punës.
“Në këtë ligj parashihen Këshillat Sektorialë të Shkathtësive, që janë instrumente në kuadër të arsimit dhe arsimit profesional, për përgatitjen e të cilëve ka më shumë vend industria sesa burokracia e shtetit. Rrjedhimisht, kurrikulat, programet dhe profilizimi i shkollave profesionale tashmë do të përshtaten nga vetë nevojat e sektorit privat, nga vetë sektori privat, si dhe si vendimmarrës në Këshillat Sektorialë brenda Agjencisë sonë. Synimi ynë është që shkollat profesionale të jenë atraktive për fëmijët dhe për familjet tona. Dhe me arritjen e gjasave për punësim, pra për punësimin e rinisë sonë, çdo i ri që diplomohet në një shkollë profesionale duhet të gjejë punë shumë më shpejt, dhe këtë punë do ta gjejë qoftë në sektorin privat, qoftë në ndërmarrjet publike”, tha Çeku.
Ministri theksoi se bashkëpunimi me sektorin privat duhet të shtrihet edhe në financimin e shkollave profesionale.
“Ky bashkëpunim me industrinë, përveç kësaj, duhet të synojë edhe bashkëfinancimin. Pra, ne në njërën anë duam të kemi bashkëdrejtim të shkollave profesionale me industrinë, dhe në këtë bashkëdrejtim të shkollës profesionale duam që të kemi edhe bashkëfinancim me sektorin privat”, u shpreh ai.
Në lidhje me arsimin e lartë, shkencën dhe inovacionin, Çeku tha se nevojitet një lidhje më e drejtpërdrejtë mes universiteteve dhe industrisë, duke paralajmëruar edhe ristrukturimin e fakulteteve.
“Lidhur me arsimin e lartë, shkencën dhe inovacionin, duhet të kemi një mbështetje që të jenë të ndërlidhura me industrinë dhe prioritetet e zhvillimit të Kosovës. Deri tash kemi folur për profilizimin e universiteteve, tash është koha që të flasim për ristrukturimin e fakulteteve, me qëllim që arsimi i lartë në Kosovë të ketë universitete që lidhen direkt me industrinë, me sektorin privat dhe me prioritetet e zhvillimit të shtetit tonë”, përfundoi Çeku, raporton Ekonomia Online


