United Hospital

Xhaka e pranoi gabimin – ndëshkimi do të jetë i lehtë, kthimi në kombëtaren e Zvicrës pritet së shpejti

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Në shikim të parë, rasti i Granit Xhakës, i cili dyshohet se bleu një certifikatë vaksinimi në kohën e pandemisë, i ngjan aferës me ish-trajnerin e kombëtares zvicerane të hokejit mbi akull, Patrick Fischer. Por vetëm në shikim të parë. Dallimi është i madh: Fischer e siguroi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike me anë të një certifikate të falsifikuar. Xhaka, për aq sa dihet deri më tani, nuk ka pasur asnjë përfitim sportiv nga certifikata e tij e falsifikuar.

Meqë në opinionin shqiptar ka shumë paqartësi mbi rastin e Xhakës dhe certifikatën e tij, në vijim një shpjegim nga A deri në ZH, nga shpërthimi i skandalit – të premten që shkoi – deri më sot.

Të premten e kaluar u bë e ditur se ndaj Granit Xhakës po zhvillohen hetime nga Prokuroria Publike e Luzernit. Arsyeja: “përvetësim i mundshëm i një vërtetimi të rremë ose/dhe falsifikim dokumentesh”. Kjo nuk është diçka banale, është vepër penale në Zvicër.

Certifikatën e falsifikuar të Covidit dyshohet se e ka lëshuar një mjeke nga Luzerni. Mjekja nuk gëzon një reputacion aq të mirë; më 2023, ordinanca e saj është kontrolluar nga organet e rendit.

Në mediat zvicerane lajmi u prit siç pritej: me bujë të madhe. Dhe kjo nuk është befasi. Granit Xhaka është lojtari më i mirë i kombëtares së Zvicrës. Është kapiten. Është lider i ekipit.

Reagimi i Xhakës ndaj lajmit ishte mbase njerëzor, por jo shumë i mençur: mohoi çdo gjë, tha se nuk kishte blerë kurrfarë certifikate. Angazhoi edhe një ekspert për marrëdhënie me publikun. Por brenda tre ditësh strategjia e mbrojtjes dështoi.

Edhe për shkak se eksperti i ngatërroi datat e vaksinimit të pretenduar. Xhaka qëndroi në versionin e tij me gjasë deri të dielën në mbrëmje kur njoftoi Federatën e Futbollit për gabimin e tij. Të hënën në mëngjes e pranoi mashtrimin përmes një storjeje në Instagram. Dhe bëri mirë.

Kjo i mundëson drejtësisë të përshpejtojë procedurën dhe të shqiptojë dënimin, i cili besohet se do të jetë i lehtë – urdhër ndëshkimor penal dhe gjobë.

“E kam vaksinuar”, mjekja e Granit Xhakës del kundër deklaratave të yllit shqiptar lidhur me certifikatën e falsifikuar

Mobi Casa

Në Zvicër ka kritika ndaj Xhakës, por nuk ka fushatë. Kritika është legjitime. Si kapiten i kombëtares, ai duhet të jetë shembull për të tjerët. Një gazetar kërkoi që Xhaka të mos jetë më kapiten. Krejt ndryshe mendoi një gazetar tjetër: jo, shkroi ai, për këtë gabim Xhaka nuk duhet të ndëshkohet nga Federata e Futbollit. Pas postimit të Xhakës, Federata Zvicerane e Futbollit shpërndau një njoftim për media.

“Granit Xhaka na informoi mbrëmë rreth gjendjes së fakteve dhe njëkohësisht na tha se do të prononcohet publikisht për këtë dhe do të marrë përgjegjësi”, deklaroi presidenti i Federatës, Peter Knäbel.

U bë e ditur se Xhaka nuk do të udhëtojë me ekipin kombëtar në kampin stërvitor në Belek të Turqisë. Aty ekipi i trajnerit Murat Yakin po përgatitet për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut, Skocisë dhe Sllovenisë. Vendimi që Xhaka të qëndrojë përkohësisht larg ekipit është “marrë bashkërisht gjatë një bisede ndërmjet Xhakës dhe udhëheqjes së Federatës”, nënvizoi Federata.

Largimi i Xhakës nga kombëtarja nuk ka qenë temë as në Federatën e Futbollit, as në media. Madje presidenti i Federatës, Knäbel, tha se Zvicrës i duhen lojtarë me temperament si Xhaka. Ngjashëm argumentoi edhe Pierluigi Tami, drejtor i ekipit kombëtar. Ai tha se gabime bëjmë të gjithë, me rëndësi është që ato të pranohen. “E vlerësoj shumë reagimin e tij”, shtoi Tami.

Të mërkurën për “rastin Xhaka” foli trajneri Murat Yakin. Në gazetën bulevardeske “Blick”, Yakin tha: “Graniti vepron për të mirën e ekipit”. E lavdëroi për marrjen e përgjegjësisë. Pra, janë tre drejtues të futbollit zviceran që pandërprerë po i dalin në krah Granit Xhakës.

Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” shkruan të enjten: “Në të vërtetë, pothuajse çdo fjali e krerëve të Federatës së Futbollit ishte e konceptuar për një riintegrim të shpejtë të Xhakës (në ekip). Për këtë ka arsye të forta. Qoftë vetëm fakti se nga historia me certifikatën e falsifikuar të vaksinimit nuk rrjedh domosdoshmërisht përfundimi se Xhaka nuk mund të jetë më kapiten. Dhe pastaj vijnë edhe argumentet sportive. Xhaka është lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Zvicrës. Epoka e tij si kapiten përkon me periudhën më të suksesshme në historinë e futbollit vendës. Se çfarë do të ndodhë me ekipin kombëtar kur Xhaka të mos jetë më aty, është një nga pyetjet e mëdha të së ardhmes”.

Federata po ashtu nuk kritikoi solidarizimin e Xhakës me krerët e ish-UÇK-së pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë nga Gjykata Speciale. Pierluigi Tami, drejtori i ekipit kombëtar, i cilësoi deklaratat e Xhakës për Hashim Thaçin dhe të tjerët si “çështje private”. Në shumicën e mediave zvicerane, solidarizimi i Xhakës me ish-luftëtarët e gueriles kosovare u publikua si lajm, por pa komente të ashpra (me përjashtim të një reviste ekstreme të djathtë).

Ka mundësi që deri nga mesi i tetorit drejtësia t’i japë kahje rastit dhe Xhaka, sipas të gjitha gjasave, do të kthehet në kombëtaren e Zvicrës. Por duhet theksuar: gabimi i Xhakës nuk ishte vetëm sigurimi i certifikatës së falsifikuar. Gjatë pandemisë, kur u pyet nga gazetarët nëse ishte vaksinuar, Xhaka tha po – “që ju (gazetarët) të mos keni çfarë të shkruani”. Le të themi kështu: Granit Xhaka ka mundur të përgjigjej më mençur. Thelbi i çështjes është: nuk ka fushatë agresive kundër tij në Zvicër, madje ka kërkesa si nga Federata, ashtu edhe nga zëra publikë që kjo çështje të mbyllet brenda një afati të arsyeshëm.

Fakt është: Xhaka e ka shkelur ligjin. Si shtetas zviceran, ai i nënshtrohet ligjit. Askush nuk është mbi ligjin. Nuk pati tolerancë ndaj ish-trajnerit të kombëtares zvicerane të hokejit mbi akull, Patrick Fischer. Dhe nuk do të ketë as ndaj Xhakës. Ndonëse rastet s’mund të krahasohen./Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.