Dy raste vdekjeje dhe një lëndim në vendin e punës raportohen në Gjilan dhe Ranillug
Gjilan – Policia e Kosovës ka raportuar për një rast të lëndimit në vendin e punës, si dhe dy raste të ndara të hetimit të vdekjes në Gjilan dhe Ranillug.
Në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjilan, më 22 shtator 2026, rreth orës 07:40, një burrë kosovar është lënduar gjatë punës, pasi është rrëzuar. Sipas raportimit policor, viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe, pas marrjes së ndihmës, është liruar.
Rasti është iniciuar në konsultim me prokurorin dhe është cilësuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
Ndërkohë, në Ranillug, më 22 shtator, një burrë kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Një rast tjetër është raportuar edhe në Gjilan, ku rreth orës 14:00, një burrë kosovar është gjetur pa shenja jete nga familjarët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen.
Edhe në këtë rast, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me shkaqet e vdekjeve, ndërsa rastet janë nën hetim./rajonipress/


