Selver Lenjani: Brezi kufitar i Karaçevës kërkon investime dhe mbështetje institucionale
Kamenicë – Përfaqësuesi i fshatit Karaçevë e Poshtme, Selver Lenjani, ka reaguar lidhur me gjendjen në brezin kufitar dhe kërkesat e vazhdueshme të banorëve për përmirësimin e infrastrukturës, sigurisë dhe kushteve të jetesës në këtë pjesë të Kosovës.
Lenjani, i cili prej vitesh ka ngritur dhe sensibilizuar çështjet e brezit kufitar, thotë se banorët e Karaçevës dhe fshatrave përreth vazhdojnë të përballen me vështirësi të shumta, ndërsa kërkon angazhim më të madh nga institucionet e Kosovës.
Ndër kërkesat kryesore të Bashkësisë Lokale të Karaçevës së Poshtme është rregullimi i shtegut për këmbësorë nga kthesa e Novosellës deri te ura e fshatit Muhoc, së bashku me vendosjen e ndriçimit publik. Kërkohet gjithashtu ndriçimi i lagjeve të ndryshme të fshatit, përfshirë zonat e Surdullit, Bërnjakëve, Foniqëve dhe Seliçit.
Një tjetër kërkesë e banorëve është asfaltimi i rrugës “Bajram Hallaqi”, të cilën Lenjani e konsideron të rëndësishme për lidhjen dhe qarkullimin e banorëve të zonës. Ai rikujton se në disa segmente të brezit kufitar ndër vite kanë ndodhur aksidente të rënda, me pasoja fatale, humbje gjymtyrësh dhe lëndime serioze.
Lenjani kërkon po ashtu vendosjen e kamerave të sigurisë dhe forcimin e masave të sigurisë në brez kufitar, duke theksuar se banorët e kësaj zone jetojnë dhe punojnë në afërsi të vijës kufitare dhe se prania e tyre në këto hapësira ka rëndësi të veçantë për ruajtjen dhe kultivimin e tokave të tyre.
Ai u bën thirrje institucioneve qendrore dhe Komunës së Kamenicës që t’i trajtojnë me prioritet kërkesat e banorëve të Karaçevës dhe të fshatrave të brezit kufitar, përfshirë Muhocin, Qarrin, Bilinicën dhe Breznicën e Epërme e të Poshtme.
“Pa popull nuk kemi as vatër e as territor”, shprehet Lenjani, duke nënvizuar se banorët e kësaj zone kanë vazhduar të qëndrojnë në tokat e tyre pavarësisht vështirësive.
Në reagimin e tij, ai shpreh mirënjohje edhe për banorët shqiptarë të Malësisë së Bujanocit për kontributin e tyre ndër vite në çështjet kombëtare, ndërsa thekson nevojën për bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve shqiptare në të dyja anët e kufirit.
Lenjani apelon që kërkesat e banorëve të mos mbeten vetëm në nivel deklarativ, por të shoqërohen me investime konkrete në rrugë, ndriçim, siguri dhe infrastrukturë, në mënyrë që familjet që jetojnë në këtë zonë të kenë kushte më të sigurta dhe më të mira jetese./rajonipress/


