Nga Vitia në Universitetin e Vjenës: Tringa Sadik Haxhiu diplomohet Master i së Drejtës Ndërkombëtare Biznesore me notën maksimale
Viti – Një tjetër sukses akademik i një të reje me prejardhje nga Vitia po sjell krenari për familjen dhe vendlindjen. Tringa Sadik Haxhiu është diplomuar në Universitetin e Vjenës, duke marrë gradën shkencore Master i së Drejtës Ndërkombëtare Biznesore me notën maksimale.
Arritja e saj vjen pas përkushtimit dhe punës së vazhdueshme në fushën e së drejtës, ndërsa suksesi akademik në një prej universiteteve të njohura evropiane përbën një moment të veçantë për familjen Haxhiu dhe bashkëvendësit e saj.
Babai i Tringës, Prof. Dr. Sadik Haxhiu, ka ndarë me krenari lajmin për përfundimin e studimeve të së bijës. Në një dedikim emocionues, ai shkruan se Tringa është diplomuar me notën maksimale dhe se ky sukses i mbush familjarët me gëzim e krenari.
“Përkushtimi, puna e palodhur dhe këmbëngulja jote janë dëshmia më e bukur se dija, përkushtimi dhe dashuria për profesionin shpërblehen me arritje të mëdha”, shkruan Prof. Dr. Haxhiu, duke i uruar së bijës që të mbetet gjithmonë krenaria dhe gëzimi i familjes.
Suksesi i Tringës vjen në një familje me traditë akademike, ndërsa ajo po ndjek gjurmët profesionale të babait të saj, Prof. Dr. Sadik Haxhiu.
Diplomimi me notën maksimale në Universitetin e Vjenës shënon një etapë të rëndësishme në rrugëtimin akademik të Tringës, ndërsa për familjen, miqtë dhe bashkëvendësit e saj nga Vitia, kjo arritje është një burim i veçantë gëzimi dhe krenarie./rajonipress/



