“U zhgënjeva dhe u çudita”, Hill flet për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së
Ish-i dërguari i posaçëm amerikan për Kosovën, Christopher Hill, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se është çuditur dhe zhgënjyer nga dënimet e shqiptuara.
Në një intervistë për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Hill ka folur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vendimin e shkallës së parë dhe për dëshminë e tij në Hagë në mbrojtje të Hashim Thaçit.
“Reagimi im i parë, me sinqeritet, mund t’ju them, është se është e vështirë të parashikosh se cili do të ishte vendimi. Kur e dëgjova këtë dënim me 25 vite, u çudita dhe isha shumë i zhgënjyer”, ka deklaruar Hill.
Ai ka rikujtuar se kishte dëshmuar në mbrojtje të Thaçit dhe se, sipas përvojës së tij gjatë luftës, ish-presidenti i Kosovës kishte qenë i angazhuar në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.
“Kisha folur në mbrojtje të zotit Thaçi te Tribunali në Hagë dhe, sipas këndvështrimit tim, ai ka qenë gjithmonë pranë meje dhe po përpiqej të gjente një mënyrë paqësore për luftën”, ka thënë Hill.
Ai ka shtuar se, ndonëse është i zhgënjyer nga aktgjykimi, bëhet fjalë për një vendim gjykate dhe se tash duhet pritur hapat e mëtejshëm të ekipeve mbrojtëse.
“Kam qenë shumë i zhgënjyer nga lajmi i dënimit. Sigurisht, ky është një vendim gjykate dhe diplomatët e kanë të kufizuar të flasin. Duhet të presim avokatët”, ka deklaruar ai.
Hill është ndalur edhe te mënyra e organizimit të UÇK-së gjatë luftës. Sipas tij, ajo nuk ishte aq e centralizuar dhe e integruar sa pretendohej.
“Sipas këndvështrimit tim të asaj kohe, UÇK-ja ishte shumë më pak e organizuar nga ç’thonin vetë anëtarët e saj, por ishte ideja që ajo donte të prezantohej si mirëorganizuar. Ideja se ata ishin të mirëintegruar nga pjesa e poshtme te pjesa e sipërme, ky këndvështrim mua s’më ka bindur asnjëherë”, ka thënë Hill.
Ai ka theksuar se në atë kohë puna e tij si diplomat amerikan kishte qenë gjetja e një rruge drejt paqes dhe sigurimi i të drejtave të qytetarëve.
“Puna ime ishte të gjenim ndonjë mënyrë të gjenim paqe, për të siguruar të drejtat e njerëzve dhe për të ecur përpara”, ka përfunduar Hill.
Christopher Hill ishte një nga dëshmitarët e mbrojtjes në procesin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë. Më 16 shtator 2026, Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.


