Kamenica bashkon institucionet dhe nxënësit në aksionin për Ditën Botërore të Pastrimit
Kamenicë – Hapësirat publike në Kamenicë janë përfshirë në një aksion të përbashkët pastrimi, të organizuar me rastin e Ditës Botërore të Pastrimit, me pjesëmarrjen e Komunës, ndërmarrjes publike, Policisë dhe komunitetit.
Në këtë aktivitet është angazhuar edhe drejtori i DSHPAIE-së, Zotrim Kastrati, së bashku me stafin e tij, duke iu bashkuar përpjekjeve për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe krijimin e një mjedisi më të pastër e më të shëndetshëm.
Një pjesë e rëndësishme e aksionit ka qenë edhe përfshirja e institucioneve arsimore. Përmes Drejtorisë së Arsimit, nxënës nga shkollat e Kamenicës kanë marrë pjesë në aktivitete pastrimi në ambientet shkollore dhe në lokalitete të ndryshme.
Përfshirja e të rinjve në këtë nismë synon të përcjellë përtej aksionit të një dite edhe një mesazh edukues: kujdesi për mjedisin dhe hapësirat e përbashkëta është përgjegjësi e të gjithëve dhe duhet të kultivohet që në moshë të hershme.
Aksioni ka bashkuar në një angazhim të përbashkët institucione, punonjës, pjesëtarë të Policisë dhe nxënës, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe qytetar në ruajtjen e mjedisit.
Komuna e Kamenicës ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e dhënë, duke e cilësuar aktivitetin si një tjetër hap në promovimin e kulturës së pastërtisë dhe përgjegjësisë ndaj mjedisit./rajonipress/


