Mërgimtarët në Saint-Julien-en-Genevois mirëpresin, Sokol Halitin, nesër pritet binjakëzimi me Vitinë
Një pritje e ngrohtë dhe e veçantë iu organizua Kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe bashkëpunëtorëve të tij nga bashkatdhetarët shqiptarë në Saint-Julien-en-Genevois të Francës.
Takimi u organizua nga Shoqata “Iliria”, nën përkujdesjen e kryetares Lule Hoxha-Deda, në një mbrëmje ku mbizotëruan mikpritja, respekti dhe lidhja e fortë e mërgimtarëve me vendlindjen.
Gjatë pritjes u përcollën mesazhe për ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet diasporës dhe Kosovës, ndërsa prania e delegacionit të Vitisë u vlerësua si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin dhe komunikimin me bashkatdhetarët që jetojnë në Francë.
Në këtë kuadër, vizita pritet të shënojë një moment të rëndësishëm institucional. Të nesërmen pritet të nënshkruhet marrëveshja e binjakëzimit ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Komunës së Saint-Julien-en-Genevois, marrëveshje që synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi ndërmjet dy komunave në fusha të ndryshme.
Ky hap vjen si një tjetër dëshmi se lidhjet e Vitisë me mërgatën dhe komunitetet shqiptare jashtë vendit vazhdojnë të mbeten të rëndësishme, jo vetëm në aspektin njerëzor e kulturor, por edhe në drejtim të bashkëpunimit institucional dhe zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve./rajonipress/



