Policia në Gjilan shqiptoi 1,422 gjoba për një javë, 54 shoferëve iu ndalua drejtimi
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka intensifikuar aktivitetet për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Gjatë periudhës 11–17 shtator 2026, në kuadër të zbatimit të planeve operative për siguri në trafik, Policia ka shqiptuar gjithsej 1,422 gjoba ndaj pjesëmarrësve në komunikacion.
Sipas të dhënave të Policisë, gjatë së njëjtës periudhë janë ndërmarrë edhe këto aktivitete:
Janë hetuar 15 aksidente trafiku me dëme materiale.
Janë hetuar 10 aksidente trafiku me persona të lënduar.
Janë shqiptuar 32 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave.
Për 54 drejtues është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe sinjalistikën rrugore, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në rrugë.
Policia ka paralajmëruar zero tolerancë ndaj drejtuesve të motoçikletave, trotinetëve elektrikë, mopedëve dhe mjeteve të tjera të ngjashme që shkelin dispozitat ligjore për rregullat në trafikun rrugor.
Autoritetet kanë theksuar se kontrollet dhe aktivitetet policore synojnë parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion./rajonipress/


