Selver Lenjani: “Një komb, një zë, një qëllim – ta ruajmë qetësinë dhe raportet me miqtë ndërkombëtarë”
Gjilan – Veprimtari dhe aktivisti Selver Lenjani ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke bërë thirrje për maturi, qetësi dhe bashkim të shqiptarëve.
Në deklaratën e tij, Lenjani kërkon lirinë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Liri për UÇK-në, liri për z. Hashim Thaçi, liri për Kadri Veselin, liri për Jakup Krasniqin, liri për Rexhep Selimin”, shprehet Lenjani, duke e cilësuar situatën si një moment “tepër të rëndësishëm” për Kosovën.
Ai u bën thirrje qytetarëve që, pavarësisht zhvillimeve dhe emocioneve, të ruajnë qetësinë dhe maturinë.
“Një maturi, një mençuri për ta ruajtur popullin e Kosovës, për t’i ruajtur kufijtë e Kosovës. Një qetësi, sepse shpirti po na dhemb për këtë dënim”, deklaron Lenjani.
Në reagimin e tij, Lenjani shpreh gjithashtu kritika ndaj trajtimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe kërkon që përgjegjësit për krimet ndaj civilëve shqiptarë të përballen me drejtësinë.
Ai përmend krimet e forcave serbe gjatë luftës, përfshirë vrasjet, masakrat, dëbimet, djegiet e shtëpive dhe dhunën, duke argumentuar se përgjegjësit duhet të japin llogari para drejtësisë.
Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së tij Lenjani ia kushton marrëdhënieve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Ai kërkon ruajtjen e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si dhe bashkëpunimin me KFOR-in.
“Ta ruajmë miqtë ndërkombëtarë, të ruhen raportet Prishtinë–Washington, të ruhen raportet me Bashkimin Evropian, të ruhen raportet me NATO-n, me Brukselin zyrtar dhe me KFOR-in”, thotë ai.
Lenjani vlerëson veçanërisht rolin e Shteteve të Bashkuara në historinë e ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë dhe shpreh bindjen se mbështetja amerikane ka qenë vendimtare për popullsinë shqiptare të Kosovës.
Në përmbyllje të deklaratës, ai apelon për bashkim dhe qetësi në një periudhë që e konsideron të vështirë për Kosovën.
“Një komb, një zë, një qëllim, një bashkim, por ta ruajmë qetësinë”, shprehet Selver Lenjani, duke e mbyllur deklaratën me urimin: “Dhashtë Zoti të lirohen liderët e UÇK-së.”/rajonipress/



