Berat Buzhala: Dënimi pa gjyq i Murat Mehës
Sipas Kodit Penal, Kosova nuk ka dënim me vdekje. Forma e vetme për ta dënuar dikë është burgu. Nëse burgu qenka pak, siç po thotë Haradinaj, atëherë a do të thotë që Mehën duhet dënuar pa gjyq? Dikush duhet ta mbrojë Murat Mehën, prej gjuhës së Haradinajt. Është e pashembullt gjuha që Ramush Haradinaj po përdor kundër një shërbyesi civil, Murat Mehës, për shkak të një marrëveshjeje politike që Kosova ka lidhur me Malin e Zi, për demarkacionin e kufirit, bazuar në ekspertizën e një komisioni shtetëror, lidhur me këtë çështje.
Tashmë ambienti është jashtëzakonisht i pëlleshëm që dikush të dalë e t’i japë një plumb në kokë Murat Mehës, sepse, sipas Haradinajt, ai është kriminel, për të cilin është pak burgu.
Baras e rrezikshme me gjuhën e Haradinajt, është edhe heshtja e Qeverisë. Nënshkruesi i kësaj marrëveshjeje, Mustafa ose Thaci, ose të dytë, tashmë do të duhej të kishin marrë përsipër barrën e kësaj marrëveshjeje, në mënyrë që punëtori Meha, përkatësisht akti i tij, të mos jetë targeti kryesor për t’u konsideruar ‘tradhti kombëtare’.
Unë jam krejtësisht i hutuar, duke mos pasur kurrfarë shpjegimi logjik, se ku po do që të dalë Haradinaj me strategjinë e tij më të re – atë të frikësimit të stafit civil?
Është shokuese, posaçërisht deklarata e sotshme, ku Haradinaj merr guximin që ta quajë kriminel, pa vendim të gjykatës, një shef të një agjencioni të pavarur.
“Burgu është pak për Murat Mehën, ai është kriminel”, ka deklaruar Haradinaj.
Shtrohet pyetje e frikshme: Nëse është burgu pak, atëherë çfarë është tamam?
Sipas Kodit Penal, Kosova nuk ka dënim me vdekje. Që do të thotë se e vetmja formë për ta dënuar dikë është më burg. Dhe nëse ky qenka pak, atëherë a do të thotë që Mehën duhet vrarë pa gjyq?
Gjuha e përdorur nga Kryetari i AAK’së, përveç kërcënuese, është edhe linçuese. Rrallë më ka ndodhur të lexoj aq shumë banalitete, në aq pak fjali.
Kështu, Haradinaj ka deklaruar se ‘kushdo që shkon pas Murat Mehës është sikur ai”. Është kriminel. Burgu është pak për të. Pra, edhe për ata që i shkojnë pas Mehës duhet dënuar pa gjyq. Sepse burgu është pak për ta.
Këso lloj gjuhe Haradinaj edhe më tutje nuk ka përdorur as për Kryeministrin e Kosovës, e as për zëvendëskryeministrin e Kosovës.
Në anën tjetër, sado që të jetë i korruptuar Meha, siç po aludohet, atë mund ta konsiderojmë si ligë të tretë, krahasuar me korrupsionin, krimin dhe abuzimet që i kryejnë partitë politike.
Më duhet të sqarojë se takimi im i vetëm me Murah Mehën ka ndodhur gjatë intervistimit që i kemi bërë në emisionin Komiteti në RTK. Nuk jam marrë me çështje kadastrale, e së këndejmi as nuk jam pjesë e kurrfarë qarku me të.
Mirëpo e konsideroj obligim moral, si qytetar dhe si gazetar, që t’i dal në mbrojtje një stafi civil të kërcënuar për tradhti. Nëse dikush e ka kryer aktin e tradhtisë, atëherë atë e ka kryer Qeveria, e jo Meha.


