AP: Thaçi, i mbështeturi nga perëndimorët për ta çuar Kosovën drejt pavarësisë, mëson sot fatin e tij
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta mësojë fatin e tij të mërkurën, kur gjyqtarët ndërkombëtarë në një gjykatë në Hagë do t’i shpallin aktgjykimet në gjyqin për krime lufte, shkruan sot agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Associated Press.
Thaçi përballet me akuza të shumta për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, torturë dhe persekutim, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan kundër forcave serbe në luftën e viteve 1998-99. Ata konsiderohen gjerësisht heronj kombëtarë në vendlindjen e tyre.
Mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë gjatë fundjavës në mbështetje të katër burrave. Protestuesit mbushën një shesh qendror në kryeqytet, shumë prej tyre duke mbajtur flamuj kuqezi shqiptarë.
Portretet e katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë vendosur nëpër qytet, së bashku me një orë të madhe dixhitale që numëron mbrapsht deri te aktgjykimet e së mërkurës.
“Në emër të popullit, shpallini të pafajshëm”, shkruhej në një pankartë.
Prokurorët në gjykatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë kanë kërkuar dënim maksimal prej 45 vjetësh burgim për Thaçin dhe të pandehurit e tjerë, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Të gjithë i kanë mohuar akuzat ndaj tyre.
“Gjatë gjithë jetës sime, kam qëndruar me popullin e Kosovës duke mbrojtur lirinë, jetën dhe dinjitetin. Gjithmonë jam udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë”, u tha Thaçi gjyqtarëve në shkurt, në përfundim të gjyqit të tij gati trevjeçar.
Sipas prokurorëve, burrat kishin në shënjestër kundërshtarët politikë dhe civilët e perceptuar si bashkëpunëtorë dhe tradhtarë gjatë kohës së tyre në UÇK.
Stafi i gjykatës, e mbështetur nga Bashkimi Europian, është kryesisht ndërkombëtar për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Në vitin 2022, gjykata dënoi dy drejtues të një shoqate të veteranëve të luftës së Kosovës për frikësimin e dëshmitarëve, duke bërë publike dokumente konfidenciale të rrjedhura.
Thaçi përballet gjithashtu me një gjyq të veçantë nën akuzat për frikësimin e dëshmitarëve, i cili do të fillojë më vonë këtë muaj.
Ai ishte një student që u kthye nga ajo që e përshkroi si mërgim politik në Zvicër për t’iu bashkuar luftës së Kosovës për pavarësi. Ai mori nofkën “Gjarpri” për aftësinë e tij për t’iu shmangur forcave serbe gjatë konfliktit.
Ai u përkrah nga liderët perëndimorë, të cilët e ftuan në bisedimet e paqes të vitit 1999 në Francë në rolin e drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shihej si një lider që mund ta çonte vendin drejt pavarësisë, shkruan Associated Press, përcjell Gazeta Express.
Thaçi u ngrit në pushtet politik pas luftës, por dha dorëheqjen si president për t’u mbrojtur para gjykatës në Hagë.
Shumica e 13,000 njerëzve që vdiqën në luftën në Kosovë ishin shqiptarë etnikë. Një fushatë 78-ditore e sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbe i dha fund luftimeve. Rreth 1 milion shqiptarë etnikë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, një veprim që Beogradi refuzon ta njohë. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara, pavarësisht viteve të negociatave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

