Panairi i 7-të i Librit në Tuz, manifestim i fuqishëm i identitetit dhe bashkëpunimit mbarëkombëtar
Tuz – Panairi bëri bashkë rreth 40 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke ekspozuar para publikut një fond të pasur prej afro 2,000 titujsh. Në përmbyllje të panairit, më 11 shtator, juria profesionale ndau çmimet tradicionale letrare „Shtigjeve të Besës“ për autorët dhe veprat më të spikatura të këtij edicioni. Në emër të Komunës së Tuzit, sekretarja Marina Ujkaj ndau çertifikata mirënjohjeje për shtëpitë botuese, institucionet partnere dhe autorët pjesëmarrës
Nga data 8 deri më 11 shtator 2026, Qendra Kulturore-Informative „Malësia“ në Tuz u shndërrua në kryeqendrën e fjalës së shkruar shqipe, duke mirëpritur edicionin e 7-të të Panairit Ndërkombëtar të Librit. Nën moton udhërrëfyese „Libri, urë mes dijes dhe kulturës”, ky eveniment me rëndësi të veçantë u organizua nga Sekretariati për Vetëqeverisjen Lokale i Komunës së Tuzit. Ngjarja u zhvillua nën kujdesin e sekretares së këtij dikasteri, znj. Marina Ujkaj, dhe gëzoi mbështetjen e plotë institucionale të Kryetarit të Komunës.
Panairi bëri bashkë rreth 40 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke ekspozuar para publikut një fond të pasur prej afro 2,000 titujsh. Përgjatë katër ditëve, ngjarja shërbeu si një platformë e hapur e ndërveprimit letrar e kulturor, duke tërhequr një fluks të lartë vizitorësh, nxënësish, arsimtarësh dhe intelektualësh.
Sipari i këtij edicioni u ngrit mbrëmjen e 8 shtatorit me një ceremoni protokollare. Fjalën e rastit e mbajti sekretarja Marina Ujkaj, e cila vuri theksin te roli i administratës lokale në krijimin e hapësirave që nxisin emancipimin shoqëror përmes leximit.
Hapjen zyrtare të panairit e shpalli Kryetari i Komunës së Tuzit, z. Lindon Gjelaj, i cili në fjalimin e tij nënvizoi traditën e konsoliduar të këtij panairi si një investim afatgjatë në kapitalin shpirtëror dhe arsimor të Malësisë. Ai vuri në dukje rolin e librit si një urë e patundshme bashkëpunimi mes krijuesve, botuesve dhe institucioneve kulturore mbarëshqiptare si dhe vullnetin e Komunës për të mbështetur projektet që afrojnë gjuhën amtare tek brezi i ri në zonat kufitare dhe në diasporë.
Në përmbyllje të panairit, më 11 shtator, juria profesionale ndau çmimet tradicionale letrare „Shtigjeve të Besës“ për autorët dhe veprat më të spikatura të këtij edicioni. Çmimi për Librin më të Mirë për Fëmijë iu ndau shkrimtarit Viktor Canosinaj, çmimi për Autorin më të Mirë iu akordua shkrimtarit Mark Lucgjonaj për veprën e tij „Livia“, ndërsa Çmimi Special i Jurisë iu dorëzua studiueses Evalda Paci për librin „Letërsia e vjetër shqipe në kontekstin ballkanik dhe evropian“.
Më tej, organizatorët aplikuan një format vlerësimi të bazuar në mirënjohjen e kontributeve të përbashkëta që pasuruan këtë edicion. Në emër të Komunës së Tuzit, sekretarja Marina Ujkaj ndau çertifikata mirënjohjeje për shtëpitë botuese, institucionet partnere dhe autorët pjesëmarrës që me fondin e tyre libror pasuruan gamën e lexuesve në Malësi.
Ky edicion i 7-të u përmbyll me një bilanc tejet pozitiv, duke rikonfirmuar Komunën e Tuzit si një stacion elitar të kulturës mbarëshqiptare dhe duke e lartësuar librin në funksionin e tij parësor, si një urë të vërtetë midis dijes dhe kulturës./emin azemi/rajonipress/



