Drita Maliqi Zunçe, nga mësimdhënësja e matematikës te nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë
Gjilan – Rrugëtimi profesional dhe politik i Drita Maliqi Zunçes përfshin më shumë se tri dekada të angazhimit në arsim, jetën publike dhe veprimtarinë politike në Gjilan e Kosovë. Përmes një biografie të publikuar nga vetë ajo, Maliqi Zunçe ka rikujtuar etapat kryesore të karrierës së saj, duke veçuar kontributin në arsim, angazhimin politik dhe rolin në proceset shtetformuese të Kosovës.
Pas përfundimit të studimeve në qershor të vitit 1989, ajo nisi punën si mësimdhënëse e matematikës, profesion të cilin, sipas biografisë së saj, e ushtron edhe sot. Në vitin 2003 u emërua drejtoreshë e njërës prej shkollave më të mëdha të Gjilanit, institucion që gjatë periudhës së drejtimit të saj, sipas saj, arriti rezultate të larta dhe u rendit ndër shkollat e suksesshme në Kosovë.
Formimi i saj personal dhe qytetar, siç thekson në rrëfimin biografik, është ndikuar edhe nga trashëgimia familjare. Ajo vjen nga një familje me histori të përndjekjes politike, ku përmend gjyshin Sherif Malisheva dhe babanë Ramadan Maliqi, ndërsa thekson edhe sakrificën e familjarëve të tjerë në rrethanat e rezistencës shqiptare. Në këtë kontekst, Maliqi Zunçe e paraqet këtë trashëgimi si një prej burimeve të motivimit për angazhimin e saj shoqëror e politik.
Angazhimi i saj politik nisi që në rininë e hershme, kur iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, sipas biografisë së publikuar prej saj, ajo u angazhua në strehimin dhe mbështetjen e personave të përndjekur nga Drenica.
Pas përfundimit të luftës, Maliqi Zunçe u përfshi në institucionet e zgjedhura të pushtetit lokal. Në zgjedhjet e para të pasluftës u zgjodh këshilltare në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ku shërbeu për dy mandate, gjatë periudhës 2000–2007. Gjatë kësaj kohe ajo udhëhoqi Komitetin për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Gjinore, duke e vazhduar angazhimin e saj në jetën publike.
Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj politike ishte zgjedhja deputete në Kuvendin e Kosovës, si pjesë e LDD-së së udhëhequr nga akademik Nexhat Daci. Në këtë funksion, ajo ishte ndër deputetët që më 17 shkurt 2008 nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, ngjarje të cilën e konsideron kulmin e rrugëtimit të saj politik dhe një prej arritjeve më të rëndësishme të jetës publike.
Sot, Drita Maliqi Zunçe thotë se vazhdon angazhimin e saj politik në Ballin Kombëtar Demokrat Shqiptar, duke e lidhur veprimtarinë e saj me idealet kombëtare, demokratike dhe shtetndërtuese.
Rrëfimi i saj biografik paraqet një profil që ndërthur profesionin e mësueses, përvojën drejtuese në arsim, angazhimin qytetar, veprimtarinë politike dhe përvojën parlamentare, ndërsa pjesëmarrja në nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë e vendos atë edhe në mesin e figurave që kanë qenë drejtpërdrejt pjesë e aktit historik të 17 shkurtit 2008.
Historia e Drita Maliqi Zunçes lidhet edhe me një trashëgimi familjare të shënuar nga përndjekja politike dhe qëndresa kombëtare. Babai i saj, Ramadan Maliqi, e përjetoi represionin që në fëmijërinë më të hershme: vetëm katër vjeç, ai u arrestua së bashku me familjarët e tij dhe për rreth 18 muaj u mbajt në burgun e Gjilanit, në kuadër të ndëshkimeve politike ndaj familjes së Sherif Maliqit.
Kjo përvojë e hershme, e cila la gjurmë të thella në kujtesën e tij, u bë pjesë e historisë familjare të Drita Maliqi Zunçes dhe e një trashëgimie të dhimbshme, por njëkohësisht të fuqishme, të qëndresës, dinjitetit dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare.
Ramadan Maliqi mbetet një figurë e lidhur ngushtë me një traditë të fortë atdhetare dhe me historinë e qëndresës shqiptare në Kosovë. Jeta e tij u shënua nga përndjekja politike që në fëmijëri, por dhuna dhe burgimi nuk arritën ta zbehin lidhjen e tij me idealin kombëtar.
Historia e tij është dëshmi e një brezi që, në rrethana të jashtëzakonshme, e pagoi shtrenjtë bindjen, dinjitetin dhe dashurinë për çështjen shqiptare.
Në këtë kuptim, Ramadan Maliqi nuk është vetëm një dëshmitar i një kohe të vështirë, por edhe pjesë e asaj plejade njerëzish që e mbajtën gjallë frymën e qëndresës dhe të patriotizmit në Kosovë./rajonipress/



