Haliti pret studentët e Universitetit Justus Liebig-Giessen, fokus bashkëpunimi Kosovë-Gjermani për mjedisin
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në takim një grup studentësh nga Universiteti Justus Liebig University Giessen në Gjermani, të udhëhequr nga profesorët Rainer Waldhardt dhe Till Kleinbecker nga Instituti i Ekologjisë së Peizazhit dhe Menaxhimit të Burimeve. Studentët shoqëroheshin nga profesori i Universitetit të Prishtinës, Arben Mehmeti.
Gjatë takimit, kryetari Haliti u uroi mirëseardhje mysafirëve dhe i njoftoi ata për bashkëpunimin e Komunës së Vitisë me qytetin gjerman të Kirchhain-it, bashkëpunim që tashmë është formalizuar edhe përmes marrëveshjes së binjakëzimit.
Haliti theksoi se partneriteti mes dy komunave ka sjellë edhe projekte të përbashkëta në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Në këtë kuadër, ai veçoi Projektin ORG-VITI, i cili zbatohet nga partnerë nga Kosova dhe Gjermania, përfshirë Universitetin Justus Liebig-Giessen, Komunën e Vitisë dhe Qytetin e Kirchhain-it, me mbështetjen e Fondacionit Federal Gjerman për Mjedisin (DBU).
Projekti synon të zhvillojë mënyra të qëndrueshme për menaxhimin dhe shfrytëzimin e mbetjeve organike komunale dhe bujqësore, duke i trajtuar ato si burime të dobishme dhe jo vetëm si mbeturina.
Kryetari Haliti vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke theksuar se ato krijojnë mundësi për shkëmbimin e përvojave, përfshirjen e studentëve dhe të rinjve, si dhe hartimin e zgjidhjeve të qëndrueshme në interes të komunitetit.
Në anën tjetër, profesori Rainer Waldhardt falënderoi kryetarin Haliti për mikpritjen dhe bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme një delegacion nga Kirchhain-i dhe Universiteti i Giessen-it do të vizitojë Vitisë, ku do të marrë pjesë në një punëtori disa ditore në kuadër të projektit.
Studentët gjatë takimit parashtruan edhe pyetje për kryetarin Haliti lidhur me zhvillimin e përgjithshëm të Komunës së Vitisë dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti.
Në kuadër të vizitës, delegacioni gjerman ka vizituar edhe fshatin Smirë, ku u njoh nga afër me një prej aktiviteteve të realizuara ndër vite përmes bashkëpunimit me partnerët gjermanë. Në këtë zonë, përgjatë rrugës kryesore, vite më parë janë mbjellë drunj, si pjesë e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mjedisit./rajonipress/


