Rektori Hajrizi prezanton modelin UBT 5S për edukimin e së ardhmes në energji
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i ftuar në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare për Energjinë e Ripërtëritshme dhe Teknologjitë e Mençura – REST 2026, në Tiranë, ku prezantoi modelin UBT 5S dhe mënyrën se si ky koncept i përgjigjet kërkesave të reja për edukimin, industrinë dhe sektorin energjetik.
Në panelin “Future-Ready or Falling Behind? Building the Energy Workforce Through Education, Industry and Brain Gain”, Rektori Hajrizi prezantoi vizionin e UBT-së për ndërtimin e një modeli të integruar që lidh edukimin, kërkimin, teknologjinë, industrinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në këtë kuadër, UBT ka zhvilluar konceptin UBT 5S, të cilin e ka implementuar edhe në UBT Smart City, duke krijuar një ekosistem ku edukimi, inovacioni, teknologjia dhe zgjidhjet e qëndrueshme aplikohen në praktikë. UBT është një Living Lab, ku teknologjitë dhe modelet e reja mund të eksperimentohen në kushte reale, përfshirë përdorimin e Digital Twin për simulimin dhe optimizimin e sistemeve dhe proceseve.
Një pjesë e rëndësishme e këtij vizioni është edhe përfshirja e diasporës në zhvillimin akademik dhe profesional. Përmes bashkëpunimeve dhe rrjetëzimit me profesionistë e ekspertë jashtë vendit, UBT ka krijuar mundësi për shkëmbim të njohurive, përfshirje në projekte, kërkim shkencor dhe lidhje më të forta ndërmjet diasporës dhe zhvillimit të vendit.
Ky model mbështetet edhe në programet akademike të UBT-së, veçanërisht në Inxhinierinë e Energjisë, si dhe në laboratorët e specializuar për energjinë solare, energjinë e erës, smart grids, pompat e nxehtësisë, energjinë gjeotermale, biomasën, IoT dhe teknologjitë e testimit dhe auditimit.
Lidhja me industrinë është pjesë e drejtpërdrejtë e këtij modeli, përmes praktikave, projekteve dhe bashkëpunimit me institucione e kompani të sektorit energjetik, duke u mundësuar studentëve të përballen me kërkesat reale të tregut dhe të përgatiten për profesionet e së ardhmes.
Konferenca REST 2026, është bashkëorganizim me UBT dhe bëri bashkë studiues, inxhinierë dhe profesionistë ndërkombëtarë për të diskutuar të ardhmen e energjisë së ripërtëritshme, teknologjive të mençura, ruajtjes së energjisë, inteligjencës artificiale, IoT-së dhe efiçiencës energjetike.


