PDK e Aleanca kërkojnë funksionalizimin e Kuvendit, marrëveshja duhej ta thërriste seancën
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës janë mbledhur të martën në sallën plenare të Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për bllokimin e funksionalizimit të Kuvendit dhe, siç tha ai, cenimin e demokracisë në vend.
Hoxhaj tha se Kosova aktualisht po përballet me një situatë të rëndë institucionale dhe kushtetuese.
“E kemi një gjendje të përhershme të shkeljes së Kushtetutës dhe sundimit të demokracisë. Prej vitit 1999 nuk ka pasur një gjendje më të rëndë sesa sot”, ka theksuar Hoxhaj.
Ndërkaq, nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar LVV-në dhe LDK-në për mosvazhdimin e seancës konstituive, edhe pas marrëveshjes së arritur mes tyre për kandidaturën për president.
Tahiri, në fjalën e tij para deputetëve të pranishëm në sallën plenare, tha se marrëveshja e djeshme mes dy partive do të duhej të pasohej me thirrjen e seancës.
“Ku janë ata që kanë marrëveshje? Ku janë sot? Nga dita e parë qëllimi nuk ka qenë me prodhu president konsensual. Marrëveshja dypalëshe e cila ka ndodh dje ish dasht me detyru kryesuesin me thirrë seancën”, tha ai.
Tahiri gjithashtu bëri të ditur se Aleanca nuk do ta mbështesë zgjedhjen e presidentit pa u pranuar kërkesat e saj.
“Nuk kanë votë për president pa u pranuar kërkesat e Aleancës”.
Deputetët e PDK-së dhe Aleancës po kërkojnë që Kuvendi të vazhdojë punën dhe të përfundojë procesin e konstituimit të legjislaturës së re. /Telegrafi/


