Hidromorava

Gërvalla i përgjigjet BE-së për gjyqtarët serbë: Kosova nuk mund ta sakrifikojë shtetin ligjor

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të Bashkimit Evropian lidhur me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë dhe zyrtarëve të administratës gjyqësore.

Gërvalla ka thënë se në Kosovë ligji nuk negociohet dhe se askush nuk mund të qëndrojë mbi të.

“Si Ministre e Drejtësisë, nuk mund të hesht përballë përpjekjeve për ta vënë në pikëpyetje zbatimin e ligjit të Republikës së Kosovës nga institucionet e saj të pavarura dhe për t’u imponuar atyre interpretime e preferenca politike të kujtdo qoftë”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, KGJK-ja më 27 gusht mori vendim për të refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë, të dorëzuara në vitin 2022, si dhe për t’i propozuar ushtrueses së detyrës së presidentes lirimin e tyre nga detyra.

Gërvalla e ka cilësuar vendimin si të një institucioni të pavarur dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Ajo i është referuar Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, duke theksuar se neni 26 përcakton detyrimin e Këshillit që, në rast të dorëheqjes së gjyqtarit ose prokurorit, t’i dërgojë Presidentit propozimin për lirimin nga detyra.

BE shpreh “keqardhje të thellë” për vendimin e KGJK-së për gjyqtarët serbë

“Kanë kaluar pothuajse katër vjet. Gjyqtarët në fjalë nuk kanë ushtruar detyrat e tyre për afërsisht katër vjet”, ka thënë Gërvalla.

Mobi Casa

Ajo ka pretenduar se gjatë kësaj periudhe këta gjyqtarë janë shkëputur nga proceset e rregullta të sistemit gjyqësor, përfshirë raportimin, vlerësimin e performancës, trajnimet dhe detyrimet e tjera profesionale.

Sipas ministres, mungesa e vazhdueshme nga puna përbën shkelje të rëndë disiplinore dhe, së bashku me detyrimet e tjera ligjore, e bën të papranueshme tërheqjen e dorëheqjeve në rrethanat aktuale.

Gërvalla ka thënë gjithashtu se dorëheqjet e vitit 2022 nuk mund të shihen si veprime individuale, duke pretenduar se ato ishin pjesë e një veprimi të organizuar dhe se ishin dhënë në rrethana të presionit politik nga Serbia.

Ajo ka përmendur edhe vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës të 20 korrikut 2026, kur ky institucion refuzoi kërkesat e prokurorëve serbë dhe punonjësve administrativë për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në nëntor të vitit 2022.

“Prandaj, e sfidoj publikisht cilindo që pretendon se këto vendime bien ndesh me ligjin e Republikës së Kosovës: na tregoni cili ligj është shkelur. Cili nen? Cila dispozitë?”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla ka kritikuar edhe reagimet e partnerëve evropianë, duke thënë se mbështetja për shtetin ligjor në Kosovë duhet të jetë e njëjtë edhe kur vendimet e institucioneve të pavarura nuk janë politikisht të përshtatshme.

Ajo ka theksuar se përfaqësimi i të gjitha komuniteteve në institucionet e drejtësisë është detyrim kushtetues, por sipas saj, kjo nuk mund të përdoret për të relativizuar ligjin dhe përgjegjësinë individuale të bartësve të funksioneve gjyqësore.

“Republika e Kosovës është shtet ligjor. Dhe shteti ligjor ka kuptim vetëm kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë”, ka përfunduar Gërvalla, duke shtuar se “në Republikën e Kosovës askush nuk është mbi ligjin”./Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.