Analistët: Pasiviteti diplomatik po i krijon Serbisë hapësirë të lobojë kundër Kosovës
Kosova po pëson dëme të mëdha në arenën ndërkombëtare si pasojë e mungesës së institucioneve të konsoliduara dhe pasivitetit në diplomaci, ndërsa kjo situatë po i krijon hapësirë Serbisë për të lobuar kundër shtetësisë së Kosovës, vlerësojnë njohës të çështjeve ndërkombëtare dhe analistë politikë.
Sipas tyre, ngërçi politik i zgjatur dhe mungesa e një përfaqësimi të plotë institucional jashtë vendit po e dobësojnë pozitën e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë, në një kohë kur Serbia vazhdon aktivitetet e saj diplomatike kundër Kosovës.
Drejtori i Institutit të Konsulencës Politike “POLCON”, Fitim Mulolli, tha për Ekonomia Online se mungesa e Kosovës në forumet ndërkombëtare dhe pasiviteti diplomatik kanë pasoja të mëdha për sovranitetin ndërkombëtar të vendit.
“Duhet të thirrem pak në përvojën time që e kam goxha të gjatë në arenën ndërkombëtare me pjesëmarrje të shumta në qindra konferenca, organizata ndërkombëtare, duke punuar për organizata ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrjen në organizatat e tilla me diplomaci multilaterale, dhe mungesa e Kosovës në këto forume apo pasiviteti i Republikës së Kosovës jashtë vendit ka pasoja shumë të mëdha dhe shumë të dëmshme për sovranitetin, të paformësuar ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Mulolli tha se Serbia vazhdon të lobojë në mënyrë aktive kundër pavarësisë së Kosovës në institucionet ndërkombëtare, ndërsa mungesa e përfaqësimit të Kosovës i krijon hapësirë Beogradit që të veprojë pa kundërpërgjigje.
“Pse e them këtë sepse Serbia asnjëherë nuk ka heq dorë nga luftimi i pavarësisë së Kosovës, vazhdon në çdo korridor të çdo institucioni ndërkombëtar të lobojë në mënyrë agresive kundër shtetësisë së Kosovës, prandaj në çdo vend ku Kosova mungon ose nuk ka përfaqësim të mirëfilltë ose të plotë ajo krijon hapësirë për Serbinë që të flasë dhe të mos kundërshtojë askush”, tha ai.
Ai vlerësoi se marrëdhëniet e Kosovës me partnerët kryesorë ndërkombëtarë janë dëmtuar, duke përmendur pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-në dhe ngecjet në procesin e integrimit evropian.
“Në këto momente, nuk i kemi marrëdhëniet më të mira edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të pezullimit të dialogut strategjik. Me Bashkimin Evropian në rrugën drejt Bashkimit Evropian pra me integrim kemi ngecje të mëdha, nuk kemi zbatuar plot zotime që kemi marrë nga dialogu, dhe të gjitha këto kanë rezultuar që edhe këto shtete mike, këto organizata mike të hezitojnë të mbrojnë pozicionin e Kosovës në forumet ndërkombëtare”, tha ai.
Sipas Mulollit, kjo situatë ka krijuar një avantazh për Serbinë në arenën ndërkombëtare, ndërsa liderët kosovarë vazhdojnë të mos gjejnë marrëveshje për themelimin e institucioneve.
“Prandaj, momentalisht Serbia e gëzon tash e dy vite një mungesë adekuate në skenën ndërkombëtare, Serbia e gëzon një liri të plotë në këto forume ndërkombëtare ku deklaron çfarë të dojë, kontestohet pak ose fare pak në krahasim me atë që është kontestuar më parë, vazhdojnë me fushata agresive kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, kundër organizimeve në organizata të reja, derisa ne dhe liderët tanë politikë ende nuk mund t’i ndajnë pozitat apo të merren vesh për themelim të institucioneve që është dashur me qenë e kaluar. Unë i thirrem edhe shembullit më të freskët të Britanisë së Madhe ku ndërroi qeveria dhe brenda 48 orëve dha dorëheqje një qeveri dhe u emërua qeveria tjetër sepse shteti nuk guxon të mbetet pa qeveri të plotfuqishme”, tha ai.
Kurse, analisti politik Jeton Halimi tha për Ekonomia Online se Kosova ka çaluar në diplomaci dhe se marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në duhet të jenë ndër prioritetet e para pas themelimit të institucioneve.
Ai shtoi se dëmtimi i marrëdhënieve me SHBA-në dhe problemet në menaxhimin e situatës në veri kanë ndikuar në pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
“Kosova ka çaluar shumë sidomos prishja e marrëdhënieve me mikun tonë SHBA-të dhe keq menaxhimi i situatës sidomos me pjesën e veriut, përtej atyre integrime dhe që po flitet, është dhënë njëfar amini nga Bashkimi Evropian hapja e urës, po ka pas pasojat e tjera dhe ja pra këtu ku jemi mos themelimi i institucioneve dhe për një send me humb shumë sende dhe nuk ja bën barra qiranë në zhargonin popullor. Shpresojë që mbas themelimit të institucioneve punën e parë që duhet rregulluar janë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe me mikun tonë SHBA-të dhe ato ngecje që kanë qenë të ripërtrihen dhe të bëhet miqësia sa më me fortë”, tha ai.
Sipas tij, mbështetja amerikane mbetet thelbësore për Kosovën dhe për avancimin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Pa SHBA-të e dinë shumë mirë edhe politikanët e popullit të Kosovës nuk mund të ecim asnjë hap më tutje. Pa SHBA-në e përsëris prapë besoj që shteti i Kosovës do të jetë i cunguar i mangët dhe nuk ka krah për të shkuar më tutje pa përkrahjen e SHBA-ve dhe miqve tanë”, tha ai.


