KFOR-i Turk dhe Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit thellojnë bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë
Gjilan – Bashkëpunimi ndërmjet Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit dhe KFOR-it Turk po vazhdon të forcohet përmes takimeve të rregullta institucionale dhe komunikimit të ndërsjellë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, komandanti i ri i KFOR-it Turk, Toger Hüseyin Arslan, së bashku me ekipin e tij, ka zhvilluar një vizitë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku është pritur nga drejtori i këtij institucioni, Dr. Afrim Cana.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet dy institucioneve, me theks të veçantë në fushën e shëndetësisë dhe në identifikimin e iniciativave me interes të përbashkët. Të dyja palët ritheksuan rëndësinë e ruajtjes së një bashkëpunimi të qëndrueshëm, profesional dhe të ndërsjellë, i cili mund të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe në mbështetjen e komunitetit.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të vijuar komunikimin dhe organizimin e takimeve të rregullta të punës me përfaqësuesit e KFOR-it Turk, me synim konkretizimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta.
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit, përmes këtyre partneriteteve, synon të zgjerojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke e konsideruar bashkëpunimin institucional një mekanizëm të rëndësishëm për zhvillimin e shërbimeve dhe përmirësimin e mbështetjes në funksion të qytetarëve./rajonipress/


