Tryezë në Kamenicë për zhvillimin socio-ekonomik, kërkohet më shumë mbështetje për bizneset dhe investimet
Kamenicë – Organizata Joqeveritare Dardanapress ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Sfidat përgjatë rrugëtimit drejt avancimit socio-ekonomik”, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”.
Tryeza kishte për qëllim krijimin e një hapësire të hapur për diskutim, shkëmbim të ideve dhe bashkëpunim ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve lokale, shoqërisë civile, sektorit privat, të rinjve, grave dhe akterëve të tjerë relevantë në Komunën e Kamenicës.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë përvojat, pikëpamjet dhe rekomandimet e tyre lidhur me faktorët që ndikojnë në zhvillimin dhe avancimin socio-ekonomik të komunës. Në fokus të debatit ishin edhe mundësitë për hartimin e politikave dhe ndërmarrjen e masave konkrete që do të ndikonin në përmirësimin e klimës së zhvillimit ekonomik në nivel lokal.
Ndër rekomandimet kryesore të dala nga kjo tryezë u veçua forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale, shoqërisë civile dhe sektorit privat, si një nga parakushtet për krijimin e politikave më efektive zhvillimore.
Po ashtu, pjesëmarrësit kërkuan mbështetje më të madhe për bizneset lokale dhe iniciativat e reja, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe ndriçimit publik, veçanërisht përgjatë zonave ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, si dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe nxitjes së punësimit, veçanërisht të të rinjve dhe grave, ndërsa si një tjetër sektor me potencial zhvillimor u identifikua bujqësia. Në këtë drejtim u kërkua mbështetje më e madhe për fermerët, përfshirë përmes mekanizmave garantues.
Në tryezë u diskutua edhe nevoja për tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendore, shfrytëzimin më të madh të fondeve të Bashkimit Evropian dhe programeve të tjera zhvillimore, si dhe krijimin e një klime më të favorshme për investitorët.
Pjesëmarrësit e konsideruan zhvillimin e turizmit lokal dhe promovimin e potencialeve të Komunës së Kamenicës si një mundësi të rëndësishme për diversifikimin e ekonomisë lokale. Në këtë kuadër u theksua edhe roli i diasporës, me kërkesën për krijimin e mekanizmave që do t’u mundësonin bashkatdhetarëve të investojnë në biznese dhe projekte zhvillimore në komunë.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë diskutimit ishte lehtësimi i procedurave administrative, me synimin që shërbimet institucionale të jenë më efikase dhe që qytetarët dhe bizneset të përballen me më pak barriera administrative gjatë realizimit të aktiviteteve të tyre.
Në tryezë morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, përfaqësues të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës, Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Zyra Ligjore, si dhe përfaqësues të bizneseve lokale, Zyrës së Punësimit, organizatës Handikos, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave lokale.
Organizatorët vlerësuan se diskutime të tilla janë të rëndësishme për identifikimin e sfidave konkrete me të cilat përballet komuniteti dhe për krijimin e rekomandimeve që mund të shërbejnë si bazë për politika dhe iniciativa të reja zhvillimore në nivel lokal.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” është financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal./rajonipress/


