Cikël me poezi nga libri ‘‘Hija e shiut’’, e Anton Marku
Anton Marku, BOTIMET TOENA, Tiranë, 2026
Sa herë që historisë
i ra lapsi nga dora
toka ia përpiu këmbët
duart ia gurëzoi vreshtave të gjyshërve
PAMBARIMISHT
Është diçka
më e vjetër se sa fjala
E ngjizur
në fillim të fillimit
Kur parajsa
ende nuk kishte emër
Një frymë
që lindi kohën
dhe i fali jetë.
RRËFIMI
Trupi i një mëkatari u kërrus
sikur të kishte përtypur dy herë
të njëjtën kafshatë
Mes tij dhe Atij
një fjalë shpirti
Mbi librin e shenjtë
tha tri herë besoj në Zot
I veshur me falje
u kthye të ngjyrosë
në tavolinën e vet
trohat e kohës së mbetur.
BORXHI I PASHLYER
Populli im nuk e deshi luftën
ai e dinte se sa të shtrenjta janë
veshjet e saj
Sa herë që historisë
i ra lapsi nga dora
toka ia përpiu këmbët
duart ia gurëzoi vreshtave të gjyshërve
Atyre që vriteshin me plumbin e parë
me dhëmbë ua përvjelte mëngët
I rritur livadheve të veta
në asnjë atdhe tjetër
nuk e ktheu kokën.
OBORRTARI
Në sofra ulej
pa i larë duart
Për rrënjët e tij
kërkonte tjetër tokë
Deri në fund të botës
i shkoi pas të djeshmes
t’i thotë diçka në vesh
Sytë e tij
ngjanin si litarët.
PA TAKT
Në shtëpinë time
janë shpeshtuar kollitjet
Trupi nuk u bindet viteve
Goja po rri më gjatë hapur
për moshën që ka
Dashnoret e fqinjit përballë
nuk po më thirrin në emër
Dorës
gishtat iu janë bërë barrë.



