Binça kërkon investime prioritare në buxhetin e Vitisë për vitin 2027
Viti – Në fshatin Binçë të Vitisë është zhvilluar diskutimi publik për planifikimin e buxhetit komunal për vitin 2027, ku banorët nga komuniteti shqiptar dhe serb patën mundësinë të paraqesin kërkesat dhe prioritetet e tyre për investime në vendbanim.
Në takim, përfaqësuesit e Komunës së Vitisë, të udhëhequr nga zëvendëskryetari Hasan Aliu dhe drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Milihate Ajeti, prezantuan draftbuxhetin komunal për vitin e ardhshëm, ndërsa qytetarët diskutuan për nevojat konkrete të komunitetit dhe projektet që konsiderohen të domosdoshme për përmirësimin e kushteve të jetesës.
Ndër prioritetet kryesore të ngritura nga banorët ishte rregullimi i tërësishëm i rrjetit të ujësjellësit, si dhe rregullimi i rrugës që çon drejt varrezave ortodokse.
Gjatë diskutimit u paraqitën edhe një varg kërkesash të tjera, përfshirë bashkëpunimin më të ngushtë me Policinë e Kosovës për adresimin e zhurmës dhe rrezikut të shkaktuar nga mjetet motorike, zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga Komuniteti për Komunitete, si dhe rifunksionalizimin e sistemit të ngrohjes qendrore të shkollës.
Banorët kërkuan gjithashtu vendosjen e tabelave informuese për ndalimin e hedhjes së mbeturinave në afërsi të Manastirit, si dhe pastrimin dhe rregullimin e shtratit të lumit “Morava e Binçës”, duke e konsideruar këtë ndërhyrje të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e hapësirave publike.
Diskutimet publike për buxhetin komunal synojnë që kërkesat e qytetarëve të përfshihen në procesin e planifikimit financiar dhe investues të komunës, duke krijuar mundësi për një përcaktim më të drejtpërdrejtë të prioriteteve sipas nevojave të komuniteteve.
Komuna e Vitisë ka njoftuar se cikli i dëgjimeve buxhetore do të vazhdojë edhe me takime të tjera. Nesër, në ora 10:00, në sallën e Kuvendit Komunal – Shtëpia e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, do të mbahet diskutimi publik me grupin e grave./rajonipress/


