Hidromorava

Dëshprimi si shans

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Imer Mushkolaj – Dëshprimin e vet të pafuqisë në Kuvend opozita duhet ta harmonizojë me dëshprimin e qytetarëve me qeverisjen e Isa Mustafës, në mënyrë që të fillojë një rrugë e gjatë përpjekjeje për ndryshim. Duhet thënë qartë se qëllimi nuk është që pushteti të merret me dhunë. Është papjekuri politike dhe budallallëk të mendohet një gjë e tillë
Dëshprimi mund t’i kthehet në shans real opozitës për ta shtyrë qeverinë aktuale që të reflektojë, e mbase edhe të largohet. Dëshprimi i qytetarëve me qeverisjen e deritashme të Isa Mustafës, por edhe dëshprimi i vetë partive opozitare me pafuqinë për të bërë më shumë në Kuvend, shkaku i numrave të pamjaftueshëm.

Pavarësisht paralajmërimeve se do të organizohen protesta kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, megjithatë nuk do të jenë këto dy çështje që do të mund ta çojnë qeverinë në dorëheqje. Këto mund të shërbejnë vetëm si shkas që njerëzit të dalin në rrugë, me ditë të tëra rresht, në përpjekje për të arritur së paku ndërrimin e kursit qeverisës, në mos edhe largimin e kabinetit qeveritar.

Muajt e parë të qeverisjes kanë kaluar në shenjë të debateve të kota, protagonist i të cilave ka qenë vetë kryeministri Isa Mustafa, me gjuhën e tij aspak të denjë për një lider. Premtimet për qindra mijëra vende pune kanë ngelur veç premtime, ndërkohë që kryeministri ende nuk ka sqaruar se si praktikisht do të ndodhë kjo. Në vend të kësaj, ai është përpjekur që dështimet e veta dhe skandalet e familjarëve të vet t’i mbulojë me akuza për të tjerët.

Ai nuk ka marrë mundin që me partitë opozitare të paktën të debatojë rreth vendimeve shumë të rëndësishme për vendin, siç janë marrëveshjet me Beogradin dhe kufiri me malazezët. Ai është treguar përjashtues dhe dëshprimin e vet e ka kthyer në akuza për opozitën, duke lënë të kuptohet se po duan t’ia marrin pushtetin me zor. Në këtë mënyrë, Mustafa po provon që qytetarëve të Kosovës t’ua përcjell mesazhin se ai është “i miri”, ndërkaq “e keqja” e madhe është opozita që nuk po e lënë të qeverisë si duhet. Një përpjekje që, para se të ketë sukses, ka më shumë gjasë që atij t’i kthehet si bumerang.

* * *

Edhe pse me fuqi të vogël numrash në Kuvend, opozita ia doli në fillim të vitit të mbledh dhjetëra mijëra vetë në shesh kundër ish-ministrit Aleksandar Jablanovic. Por pak javë më vonë, kur Jablanovic nuk ishte më në fokus, qytetarët që iu përgjigjën thirrjes për protestë nuk ishin të shumtë. Po mungonte një Jablanovic për t’ua nxehur gjakrat.

Dy arsye të forta që po i përmend opozita mund të nxjerrin njerëz në rrugë, por jo aq sa për t’i kënaqur apetitet e organizatorëve, respektivisht për ta shtyrë Isa Mustafën të paktën të reflektojë se çfarë po bën dhe kah po shkon. Protesta masive mund të ndodhin një ditë të vetme, por kjo nuk është zgjidhje e duhur.

Protesta të përditshme, pa marrë parasysh se sa mund të jetë numri i atyre që dalin në sheshet jo vetëm të Prishtinës, do të mund të ishin zgjidhje më e mirë. Nëse jo për Bashkësinë e Komunave Serbe e demarkacionin, njerëzit do ta gjenin veten teksa protestojnë për shumë probleme të tjera që ua nxijnë jetën, e që nuk po gjejnë zgjidhje. Probleme që nuk lidhen me “tema të mëdha”, por që do të duhej të ishin në agjendën e kryeministrit dhe preokupim kryesor i tij.

Uji Dea

Për muaj me radhë qytetarët kanë pritur se Mustafa të paktën do të sqarojë se si do t’ua bëjë jetën më të lehtë atyre, e jo t’i torturojë me fjalor banal e akuza primitive ndaj rivalëve politikë.

Për muaj me ardhë ata kanë pritur se kryeministri do të ketë prioritet punësimin dhe mirëqenien e tyre, e jo mirëqenien e familjarëve të vet.

Për muaj me ardhë ata kanë shpresuar se ai do të jetë ndryshe, do të qeverisë ndryshe, do të sillet ndryshe, por tashmë janë bindur se është njësoj si të tjerët që kanë qenë në pushtet.

Kryeministri mund të arsyetohet se ende është në fillim të mandatit dhe gjërat nuk ndryshojnë shpejt. Mund të ketë të drejtë, ama nëntë muaj mjaftojnë dhe teprojnë për të parë dhe kuptuar filozofinë e një qeverisjeje, kursin e një qeverie që ka ardhur në pushtet me premtimin kryesor se nuk do të jetë si ajo e mëparshmja. Por që nuk ka dalë të jetë ashtu.

* * *

Mund të jenë të qëndrueshme edhe arsyet se opozita nëpërmjet protestave ka për qëllim në radhë të parë mobilizimin e anëtarësisë së vet dhe konsolidimin përbrenda. Por do të ishte budallallëk që dikush të mendojë vërtet se nuk ka kurrfarë arsye që të protestohet.

Dëshprimin e vet të pafuqisë në Kuvend opozita duhet ta harmonizojë me dëshprimin e qytetarëve, në mënyrë që të fillojë një rrugë e gjatë përpjekjeje për ndryshim. Veprimet e dhunshme absolutisht duhet përjashtuar, ndërkohë që duhet thënë qartë se qëllimi nuk është që pushteti të merret me dhunë. Është papjekuri politike dhe budallallëk të mendohet një gjë e tillë.