Komuna e Vitisë nis dëgjimet buxhetore për vitin 2027, draftbuxheti parashihet në mbi 18.3 milionë euro
Viti – Komuna e Vitisë ka nisur ciklin e dëgjimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal për vitin 2027, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të paraqesin kërkesat, propozimet dhe prioritetet e tyre për investimet dhe projektet e vitit të ardhshëm.
Takimi i parë është zhvilluar me banorët e Stubllës së Epërme, ku është prezantuar draftbuxheti komunal dhe janë diskutuar nevojat kryesore të këtij lokaliteti. Në takim morën pjesë zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Melihate Ajeti, si dhe përfaqësues të Komisionit për Organizimin e Diskutimeve Publike.
Në fjalën hyrëse, zëvendëskryetari Hasan Aliu tha se është kënaqësi që cikli i dëgjimeve buxhetore nis pikërisht në Stubëll, të cilën e cilësoi si vendin ku u hap shkolla e parë shqipe. Ai theksoi se përfshirja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor është e rëndësishme për përcaktimin e prioriteteve dhe orientimin e investimeve sipas nevojave reale të komunitetit.
Aliu përmendi gjithashtu edhe sfidat financiare me të cilat përballet komuna, duke veçuar çështjen e kontratës kolektive dhe detyrimeve që lidhen me procedurat përmbarimore.
Draftbuxheti për vitin 2027 u prezantua nga drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Melihate Ajeti. Sipas të dhënave të prezantuara, buxheti i planifikuar arrin në 18 milionë e 388 mijë e 643 euro.
Nga kjo shumë, 11 milionë e 413 mijë e 327 euro, apo 62.07 për qind, janë planifikuar për paga dhe shtesa. Për mallra dhe shërbime janë paraparë 3 milionë e 13 mijë e 919 euro, që përbëjnë 16.39 për qind, ndërsa për shpenzime kapitale janë ndarë 2 milionë e 951 mijë e 397 euro, ose 16.05 për qind e buxhetit.
Ndërkohë, për subvencione dhe transfere janë planifikuar 720 mijë euro, apo 3.92 për qind, ndërsa për shpenzime komunale janë paraparë 290 mijë euro, ose 1.58 për qind.
Gjatë dëgjimit publik, kryetari i fshatit Stubëll, Marjan Ramaj, paraqiti një varg kërkesash për investime, duke përfshirë ndërtimin e trotuarit me asfalt përgjatë rrugës kryesore, ndërtimin e një objekti të ri shëndetësor dhe shndërrimin e objektit ekzistues në shtëpi për të moshuar, si dhe rregullimin dhe zgjerimin e rrugëve bujqësore.
Edhe banorët e Stubllës paraqitën kërkesa konkrete për përfshirje në planifikimin buxhetor të vitit të ardhshëm. Ndër prioritetet e ngritura ishin asfaltimi i rrugës Stubëll–Zhegër, zgjerimi i rrugëve publike, rritja e buxhetit për arsim, përfundimi i projektit të ujësjellësit, rehabilitimi i rrugëve të dëmtuara dhe rregullimi i shtyllave elektrike.
Banorët kërkuan gjithashtu rregullimin e pjerrtësisë së një rruge pranë Shkollës Muze, si dhe ndërtimin e një mbulese për masat drusore dhe pajisjet e kopshtarisë së shkollës.
Komuna e Vitisë ka njoftuar se dëgjimet publike do të vazhdojnë edhe në lokalitetet e tjera të komunës. Takimi i radhës pritet të mbahet me banorët e Binçës, me fillim në orën 11:00, në kuadër të procesit të konsultimit publik për buxhetin e vitit 2027.
Ndërkohë, nën kryesimin e kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është mbajtur edhe mbledhja e tretë e rregullt e Këshillit të Drejtorëve. Në këtë mbledhje janë diskutuar çështje të ndryshme që lidhen me funksionimin e administratës komunale, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar mobilizimit dhe ngritjes së kapaciteteve komunale në funksion të përballimit të sfidave të paralajmëruara./rajonipress/


