Të gjeturat e NDI-së, Hoti: Nxjerrin në pah dështimet e qeverisjes së LVV-së
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka publikuar të dhënat kryesore nga hulumtimi i NDI-së mbi të cilin ai thotë se tregohen mashtrimet dhe dështimet e LVV-së në krye të institucioneve për 6 vite.
Përmes një postimi në Facebook, ish-kryeministri i Kosovës tha se premtimet për drejtësi sociale, eliminim të korrupsionit, shëndetësi e arsim cilësor si dhe punësimi dhe të ardhurat e sigurta ishin mashtrime elektorale të partisë në pushtet.
Sipas gjetjeve të kryesore të NDI-ja të publikuara nga Hoti, “44% e të rinjve të moshës 18-24 vjeç mendojnë të largohen krejtësisht nga Kosova”.
“Ja të gjeturat kryesore nga NDI-ja:
- 44% e të rinjve të moshës 18-24 vjeç mendojnë të largohen krejtësisht nga Kosova.
- Problemi më i madh në Kosovë është kostoja e jetës, që lidhet me çmimin e lartë të mallrave konsumuese dhe çmimin e energjisë elektrike.
- Tri vështirësitë kryesore me të cilat përballet familja janë: faturat e shërbimeve publike (rrymë, ujë, mbeturina), ushqimet e përditshme dhe kujdesi shëndetësor.
- Tri rreziqet kryesore të demokracisë në Kosovë: korrupsioni, pabarazia ekonomike dhe mungesa e llogaridhënies së politikanëve.
- Politikat më të nevojshme në Kosovë janë: sigurimet shëndetësore, cilësia e shërbimeve shëndetësore, të drejtat e punëtorëve në sektorin privat dhe cilësia e arsimit”, ka shkruar Hoti.


