Matoshi porositë: Të dielën, kthehuni në Medvegjë
Kamenicë – Ekziston vetëm një rrugë për përparimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Komunën e Medvegjës, ajo është e drejta demokratike dhe obligimi qytetar e kombëtar për të marrë pjesë në zgjedhje. Këtë të diele atje do të mbahen zgjedhjet e parakohshme komunale. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se numri absolutisht më i madh i shqiptarëve nga kjo komunë është shpërngulur dhe se atje ka ndodhur një spastrim etnik ka thënë Fatmir Matoshi.
Por, Medvegjasit këtë të diele duhet që në mënyrë masive të kthehen në komunën e tyre dhe të votojnë për pronat e tyre dhe të drejtat e veta. Sa më i madh që të jetë numri i shqiptarëve që votojnë, aq më të fuqishme do të jenë organet komunale dhe delegatët shqiptar të Kuvendit Komunal.
Hapja e kufirit në Kapi të Sfircës që do të ndodh së shpejti dhe lidhja e drejtpërdrejt e Medvegjës me Kamenicën është edhe një shpresë më shumë se një ditë do të krijohen kushtet për kthimin e përhershëm të shqiptarëve në tokat e veta.
Bashkëkombës të nderuar të Komunës së Medvegjës, kryeni obligimin Tuaj kombëtar e qytetar, votoni të dielën në Medvegjë, jepni një rast dhe një mundësi më shumë të ardhmes Tuaj më të mirë ka thënë në porosinë e tij drejtuar medvegjasve Fatmir Matoshi, nënkryetar i Komunës së Kamenicës./rajonipress/


