Hapet në Gjilan Panairi “Gratë në Biznes”, promovohen sipërmarrëset dhe produktet vendore
Gjilan – Në Gjilan është hapur sot Panairi dyditor “Gratë në Biznes”, një aktivitet i organizuar nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Caritasin Zviceran, me synim fuqizimin ekonomik të grave dhe promovimin e sipërmarrjes femërore.
Panairi, i cili po mbahet më 6 dhe 7 gusht në sheshet “Nuhi Berisha” dhe “Rexhep Mala”, ka mbledhur biznese të udhëhequra nga gra, organizata dhe institucione që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të komunitetit. Vizitorët kanë mundësi të njihen nga afër me produktet dhe shërbimet e sipërmarrëseve, duke mbështetur punën, kreativitetin dhe angazhimin e tyre në ekonominë lokale.
Organizatorët kanë vlerësuar se ky panair shërben si një platformë për krijimin e bashkëpunimeve të reja dhe për promovimin e rolit të grave në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa kanë falënderuar partnerët dhe pjesëmarrësit për kontributin në realizimin e këtij aktiviteti./rajonipress/


