Flakron Rexhepi: Projekti i Bulevardit dhe Administratës së re Komunale hyn në fazën më intensive të ndërtimit
Gjilan – Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Flakron Rexhepi, ka bërë të ditur se projekti i përbashkët i Bulevardit dhe objektit të ri të Administratës Komunale ka hyrë zyrtarisht në fazën më intensive të ndërtimit, pas përfundimit të të gjitha ndërhyrjeve infrastrukturore dhe përgatitjes së brezit qendror.
Sipas tij, Drejtoria e Urbanizmit ka përmbyllur të gjitha koordinimet administrative dhe teknike për realizimin e projektit sipas dinamikës së paraparë.
Rexhepi theksoi se investimi, me vlerë rreth 18 milionë euro, do t’i japë Gjilanit një pamje moderne me hapësira të gjelbra, parkingje nëntokësore dhe infrastrukturë sipas standardeve evropiane.
Ai falënderoi ekipin profesional të Drejtorisë së Urbanizmit për angazhimin në menaxhimin e projektit, duke shtuar se, pavarësisht kritikave dhe polemikave politike, puna do të vazhdojë me të njëjtin ritëm deri në përfundimin e një prej investimeve më të mëdha urbane në historinë e qytetit./rajonipress/


